FMN arrin marrëveshje në nivel stafi për përfundimin e shqyrtimit të nëntë dhe të dhjetë të Marrëveshjes së Fondit të Zgjeruar për Shqipërinë. Bordi Ekzekutiv i FMN-së pritet të diskutojë për shqyrtimin e nëntë dhe të dhjetë në shkurt 2017. Aprovimi i shqyrtimit do të mundësonte lëvrimin e rreth 72.4 milionë eurove.
Një mision i Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), nën drejtimin e zonjës Anita Tuladhar, vizitoi Tiranën ditët e fundit. Në përfundim të vizitës, zonja Tuladhar mbajti këtë deklaratë: “Ekipi i FMN-së arriti një marrëveshje në nivel stafi me autoritetet e Shqipërisë, për politikat që nevojiten për të përfunduar shqyrtimin e nëntë dhe të dhjetë të EFF-së. Misioni diskutoi edhe për prioritetet e politikave në kuadër të Monitorimit pas Programit. Programi ekonomik vazhdon të ecë sipas planit dhe i ka arritur objektivat bazë të korrigjimit të çekuilibrave të mëdhenj makroekonomikë dhe të fuqizimit të rritjes ekonomike. Janë përmbushur shumica e objektivave të synuar sasiorë. Pavarësisht nga disa vonesa, është arritur një progres përgjithësisht i mirë në vënien në zbatim të reformave strukturore. “Programi e ka vendosur ekonominë shqiptare në rrugën drejt financave publike solide, stabilitetit financar dhe rimëkëmbjes ekonomike. Me mbylljen e programit, do të jetë thelbësore që Shqipëria të angazhohet për vazhdimin e reformave ekonomike. Këto reforma janë me rëndësi jetike për rritjen e besimit, nxitjen e investimeve dhe fuqizimin e perspektivës për rritje. Rekomandimi me kusht i kohëve të fundit për çeljen e negociatave për anëtarësim në BE shënon një moment të rëndësishëm, sepse njeh angazhimin e autoriteteve në këtë proces të reformave”, tha Tuladhar.
Ekipi i FMN-së parashikon fuqizim të ekonomisë. Rritja e PBB-së pritet të ketë arritur në 3,4 për qind në vitin 2016 dhe parashikohet të përshpejtohet në rreth 4 për qind në periudhën afatmesme, e mbështetur kryesisht tek investimet e mëdha të huaja të direkte të lidhura me energjetikën dhe te një rritje e kërkesës së brendshme. Vitin që shkoi inflacioni mesatar arriti 1,3 për qind, në përputhje me kërkesën e brendshme në rritje, si dhe pritet të vijojë të rritet gradualisht derisa të arrijë normën e synuar prej 3 për qind në vitin 2018. Defiçiti i llogarisë korrente pritet të zgjerohet për shkak të nivelit të lartë të importeve që nevojiten për projektet e sektorit energjetik, nga rreth 12 për qind e PBB-së në 13,5 për qind e PBB-së në 2017-2018.



