Pastori Akil Pano tha në studion e MCN Live se mosha për kryerjen e marrëdhënieve seksuale duhet të jetë krahas moshës së martesës, pra 18-vjeç. Sipas Panos, ligji duhet të ndryshojë menjëherë.
Më tej, Pano theksoi se në vendin tonë, të rinjtë nuk shohin më shpresë dhe se 25-30 vjeçarët e sotëm janë brez i tranzicionit, fëmijë të rritur vetëm nga nëna dhe pa një model të qëndrueshëm të marrëdhënieve bashkëshortore dhe prindërore.
Alarmi për familjen shqiptare ka kohë që është dhënë. Është dhënë që në fillim të ndryshimit të sistemit politik, në fillim të tranzicionit të gjatë të mundimshëm. Njeriu që gjendet i papërshtatshëm në habitatin që kërkon të ndryshojë. Një familje që është përballur me emigracion të dhimbshëm, burrat që kanë qenë të detyruar të largohen, bashkëshorte të detyruara të mbetura vetëm në përpjekje për të qenë dhe burrë dhe grua, fëmijë të rritur pa dashurinë atërore. Janë 30 vjet, janë shumë breza që janë rritur pa një model të qëndrueshëm të marrëdhënieve bashkëshorte dhe prindërore.
Kemi të bëjmë me një brez që në një mazhorancë është rritur kryesisht nga nëna, dhe kur babai ka ardhur, ka ardhur për të qëndruar për pak. Këtu flas për 15 vitet e para të emigracionit. Kemi të bëjmë me 25-30 vjeçarë që janë brezi i tranzicionit, një shoqëri që ka udhëtuar përgjatë tragjedisë, një tragjedi e vazhdueshme, referuar impaktit tjetërsues të frikës, së padijes si e nesërmja do të shkojë, një botë konsumi që duket se vlerën njeriut ja jep vetëm paraja. Media ka promovuar individë që përveç fasadës dhe luksit ka nxitur te të rinjtë idenë e një jetë të ndërtuar me një venitet kotësie. Nuk ka shpresë në këtë vend, nuk ka meriotokraci, s’ka start të barabartë.
Historia e moshës së martesës, historia e moshës së dakordësisë për raportet seksuale është histori për t’u parë me seriozitet dhe rigorozitet. Jemi përballur në agorën e debatit publik me 14-vjeçare që kanë qenë të ekspozuara ndaj raporteve seksuale dhe ligji nuk bën dot asgjë se ligji jep dakordësinë që mund të kryhen raporte seksuale që në moshën 14-vjeç. Kjo do ndërruar një herë e përgjithmonë.
Propozimi i koalicionit shqiptar “Pro familjes dhe jetës” është që mosha për dakordësinë të jetë krahas moshës së martesës, pra 18 vjeç. Me 14-vjeçaret, 15-vjeçaret, apo 16-vjeçaret, nuk janë në gjendje të hyjnë në një raport të qenësishëm që nuk është thjesht seks. Nuk mund të hyjnë në një raport përgjegjësie.



