“Në këtë pikë, mbyllja është zgjidhja e vetme: ne duhej të kishim vepruar më herët, por nuk do të ishte e lehtë për qytetarët ta pranonin. Ata duhet t’i shohin shtretërit në spitale plot që ta besojnë”.
Këto fjalë të kancelares gjermane i kanë habitur jo pak liderët e BE-së. Një autokritikë kolektive ("Ne duhet të kishim vepruar më parë"), por në të njëjtën kohë edhe një përpjekje e diskutueshme për njëfarë shfajësimi ("Qytetarët duhet t’i shohin plot shtretërit e spitaleve"). Merkel vështirë se do ta përsëriste këtë në publik.
Takimi i parë me video konferencë i liderëve të BE-së mbi valën e dytë të pandemisë vijoi për dy orë. Gjatë tij u shkëmbyen mendime mbi përvojat përkatëse kombëtare. Emmanuel Macron foli për bllokimin e miratuar në Francë, kryeministri Sllovak foli për projektin për të testuar të gjithë popullsinë. Ata që dëgjuan fjalimet thanë se kishte "mbështetje të gjerë" për strategjinë e propozuar nga Ursula von der Leyen për testet e shpejta dhe vaksinat. Disa krerë të shteteve dhe qeverive kanë kërkuar "bashkëpunim të fortë në nivel BE", por Giuseppe Conte ishte më i rezervuar: "Ne duhet të respektojmë kompetencat kombëtare". Fjalët e tij habitën shumë nga kolegët: "Gjatë valës së parë - kujton një burim diplomatik në mbrëmje - Italia ishte vendi që mbi të gjitha kërkoi një ndërhyrje të fortë të BE ...".
Të ballafaquar me pamundësinë për të kontrolluar rritjen e infeksioneve përveçse përmes mbylljes, udhëheqësit e BE kanë vendosur të investojnë në ndjekjen e planeve për të shmangur përsëri bërjen e të njëjtave gabime, duke shmangur një valë të tretë. Ka më shumë mbështetje për teste të shpejta: Komisioni ka caktuar 100 milionë € për një blerje të përbashkët të kompleteve të cilat më pas do të shpërndahen sipas nevojës. Charles Michel ka kërkuar që të përshpejtohet përgatitja e planeve kombëtare të vaksinimit, përndryshe ekziston rreziku që kur dozat e para të mbërrijnë në fillim të vitit 2021, vendet të jeën të papërgatitura. / La Stampa /



