Presidenti amerikan Joe Biden vendosi një nga kapelet e kuqe MAGA, të fushatës së Donald Trump, në një ditë që në SHBA u përkujtua sulmi i 11-shtatorit.
Shtëpia e Bardhë shpjegoi gjestin, duke vënë në dukje se qëllimi ishte të tregohej “uniteti dypartiak”.
Biden, Trump dhe kandidatja demokrate, zëvendëspresidentja Kamala Harris, ishin sot të pranishëm në ceremoninë përkujtimore, ku shtrënguan sërish duart pas debatit të mbrëmshëm.
Gjatë një bisede me zjarrfikësit në Shanksville, Pensilvani, Biden u kap duke vendosur kapelen e kuqe të fushatës Trump.
Llogaria "Trump War Room X Account" ndau videon e Bidenit me kapele, me mbishkrimin: “Kamala performoi keq në debatin e mbrëmshëm. Joe Biden sapo vendosi një kapele ‘Trump’ ”.
Megjithatë zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë Andrew Bates në një postim në “X” tha që gjesti nuk lidhej me gjë tjetër, veç shprehjes së frymës së unitetit dypartiak për 11-shtatorin.



