
Pullat e emetuara së fundmi nga Posta Shqiptare i janë kushtuar migracionit shqiptar. Iniciativa ka ardhur nga ministri i Shtetit për Diasporën, Pandeli Majko, në Ditën Ndërkombëtare të Migracionit.
Krahasuar me popullsinë në vendin e origjinës, migracioni shqiptar mund të krahasohet si ndër më të mëdhenjtë në botë. Sot diaspora shqiptare është e pranishme në shtetet Europiane, Kanada, Australi, Azi dhe Afrikë. Në shumicën e vendeve mikpritëse shqiptarët kanë themeluar organizatat e tyre.
Duke marrë parasysh numrin e madh dhe në rritje të emigrantëve në botë, më 4 dhjetor 2000 Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara caktoi 18 Dhjetorin si Ditën Ndërkombëtare të Emigracionit. Më 18 dhjetor 1990 Asambleja e Përgjithshme miratoi konventën ndërkombëtare “Për mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve migrantë dhe anëtarëve të familjeve të tyre”.



