Qeveria së fundi ka dhënë një tjetër koncesion që lidhet me kolaudimin e automjeteve, dhe për të cilën gazetari i ekonomisë, Klodian Tomorri, thotë se nuk është asgjë më shumë se sa një aferë tjetër e qeverisë që do të ndikojë në rritjen e kostos së qytetarëve. Në studion e lajmeve në TvT, Tomorri tha se vlera e koncensionit prej 200 milion dollarësh, është dyfish me vlerën e koncesionit të kaluar.
“Ky koncesion kishte përfunduar në shtator të vitit të kaluar dhe duhet të riktheheshin në shtet, qeveria nuk i bëri procedurat, për shkak të kësaj, kontrata u shty edhe një vit e gjysmë deri në fund të vitit 2020, ditët e fundit Ministria e Infrastrukturës i ka nisur shkresën kompanisë koncesionare SGS, për të nisur procesin e transferimit të aseteve në shtet, por ky transferim do të jetë një trampolinë për një koncesion të ri.
Në buxhetin e ri shpjegohet se do te jete dhënia me koncesion, sot kemi një kompani që ka monopolin e kolaudimit të automjeteve dhe vitin tjetër do të jenë tre kompani, dhe këto do të mbikëqyren nga një kompani monopol, tani do të ketë dy faza, kompanitë që do të ofrojnë kolaudimin dhe njëra që do të mbikëqyrë procesin. Kjo është një çmenduri, sepse në dhjetë vitet e shkuara, fatura ka qenë 100 milionë, kurse tani 200 milionë, pra do të jetë dyfish, ndërkohë që janë 13 qendra për kontrollin e automjeteve, koncesionari i ri me këto qendra të ngritura vetë do të bëjnë mbikëqyrjen e procesit, thjesht do të jetë një server me një data bazë, kurse fatura është dyfish, koncension i shpikur për të transferuar para nga qytetarët te kompania koncesionare”, tha Tomorri.
Lidhur me protestën e sotme të tregtarëve të tregut të fruta-perimeve në afërsi të Shkollës së Baletit, të cilët pretendojnë se janë hedhur në rrugë nga Bashkia e Tiranës, pasi tregu i është dhënë për administrim një firme private. Tomorri thotë se një gjë e tillë është më shumë se absurditet.
“Një treg ekzistues ti jepet nje kompanie private per shfrytëzim, është bërë në mënyrë të beftë pa treguar se si u bë. Jo vetëm ky treg, por gjithmonë në praktikë, bashkia e Tiranës, poo krijon monopole të ngjashme në çdo cep të Tiranës dhe po justifikohet duke dhënë kontrata dhe duke rritur koston e shitësve duke i nxjerrë në rrugë”.
Tomorri në analizën e tij thotë se qeveria në procesin e rindërtimit nuk ka arrit as 50 përqind të objektivave që kishte vendosur një vit më pare për këtë proces.
“As në 50 përqind të asaj që ka thënë nuk ka realizuar, ata kanë marrë angazhim publik që 80 % do të ishin sistemuar në banesa të reja brenda datës 30 dhjetor 2020, që do të thotë që do të duhej të ishin bërë deri tani 2800 banesa individuale te reja dhe të ishin fut familjet në të. Pra janë vetëm disa dhjetra banesa që janë ndërtuar, dhe me mijëra familje të tjera që duhet të akomodohen në pallate, dhe janë shumë pas si procedura komplekse” .



