Shtetet e Bashkuara të Amerikës të martën kanë thyer rekordin përsa i përket numrit të të prekurve me koronavirus brenda 24 orëve që prej fillimit të pandemisë. Autoritet bëjnë me dije se u regjistruan 47 mijë raste brenda ditës, me infeksionet e reja që kryesisht shfaqen në shtetet jugperëndimore, Arizonë dhe Teksas si dhe në Kaliforni. Gjithashtu ka patur rritje të infeksioneve edhe në Florida, Xhorxhia dhe Karolinën e Jugut.
Ajo që është më shqetësuese ka të bëjë me një deklaratë të ekspertëve, të cilët kanë deklaruar se në ditët në vijim, situata pritet të përkeqësohet akoma më shumë. Në një konferencë në senat, eksperti kryesor amerikan për sëmundjet infektive, Dr. Anthony Fauci, tha se ritmet e përhapjes së infeksionit mund të arrijnë në 100 mijë raste të reja në ditë nëse nuk merren masa.
“Pa diskutim, për momentin nuk e kemi problemin nën kontroll”, tha Dr. Fauci. Ai paralajmëroi se reagimi me masa të përqëndruara vetëm te shtetet që aktualisht po regjistrojnë keqësim të situatës “e vë të gjithë vendin në rrezik”.
Që prej fillimit të pandemisë më shumë se 127 mijë amerikanë kanë vdekur për shkak të koronavirusit, ndërsa mbi 2 milionë e 636 mijë kanë rezultuar pozitiv në teste. Tepër shqetësuese është edhe fakti se në tremujorin e parë ekonomia u tkurr dhe pritet të shënojë një rënie akoma më të madhe për tremuorin prill-qershor.



