Sektori i transportit në vend po përballet me një krizë të trefishtë, ku taksistët vijojnë protestat kundër shtrenjtimit të karburanteve dhe kaosit me licencat, ndërsa Shoqata e Transportit Publik paralajmëron rritjen e çmimit të biletës së urbanëve nëse qeveria nuk pranon kërkesat e tyre në paketën e re fiskale.
Gjatë diskutimit në "MCN Live", përfaqësuesit e sindikatave të taksive dhe transportit publik kanë shpërthyer në akuza të forta ndaj Bashkisë së Tiranës, Bordit të Transparencës dhe politikave fiskale të qeverisë, duke argumentuar se rritja e kostove po i çon drejt falimentimit.
Sekretari i Sindikatës së Taksive, Xhevit Bara, ngriti alarmin për një deformim spektakolar të tregut në kryeqytet, duke drejtuar gishtin nga kryetari i bashkisë për mbingopje të tregut përmes liberalizimit.
Si të gjithë njerëzit, kemi probleme të shtrenjtuara dhe të thelluara dhe nuk po dalim asnjë ditë nga këto halle. Përfaqësimi i sindikatës duhet të jetë ligjor dhe dinjitoz në çdo protestë, ku ne jemi në opozitë me qeverinë. Taksia është progresive me çmimin sepse ka tarifë fikse, por ky sektor është deformuar në mënyrë spektakolare. Është shtuar energjia elektrike, taksisti rri më shumë në trafik dhe me të njëjtën vlerë xhiroje do të harxhosh më shumë kosto. Askush nuk dëshiron t'ia dijë, pasi i vetmi kryetar që ka rënë atje te vendi është Erion Veliaj. Qytetet si Vlora apo Shkodra e kanë me kufizim numrin e licencave, ndërsa Tirana jo, sepse Veliaj ka shtuar taksitë pafund. Fitimi i taksistëve ndër vite vjen duke u ulur sepse ai bëri një ligj ku taksitë janë të liberalizuara, ndërsa Bordit të Transparencës aktualisht i mungon plotësisht transparenca
Kryetari i Sindikatës së Taksive, Bilbil Cara, zbuloi se situata ka degraduar deri në pikën ku mbi 60% e mjeteve në rrugë nuk plotësojnë asnjë kriter ligjor. Ai njoftoi gjithashtu se kanë dërguar dhjetëra kompani në SPAK për shkelje të konkurrencës.
Kemi ngelur të bllokuar. Kemi bërë dy protesta por nuk kemi zgjidhur asgjë, ndonëse kemi zhvilluar takime me bashkinë dhe përfaqësues të Ministrisë së Transportit. Gozhda ka mbetur te muri dhe nuk ka asnjë zgjidhje. Sa më shumë taksi të shtohen, aq më shumë humb vlera, sepse ato me targë të bardhë janë thjesht pirate. Pas vitit 2013, Veliaj e bëri tregun me liberalizim dhe tani taksistë ke nga të gjitha llojet: gardistë, doktorë e të tjerë. Komplet shteti është përtokë, del në rrugë dhe askush nuk dëshiron t'ia dijë fare. Taksat e makinës janë rritur njësoj si për mjetet private, ashtu edhe për ne. Madje, edhe tani që kam marrë makinë elektrike, na u vendos taksa 150 mijë lekë të vjetra, kur më përpara paguaja vetëm 2 mijë lekë. Tashmë mjetet elektrike i kanë bërë me të njëjtat kosto si ato me naftë. Për këtë arsye, kemi çuar 84 kompani taksish në SPAK, pasi ato që bëjnë oferta të ulëta shkelin hapur ligjin.
Ndryshe nga taksitë, transporti publik operon me çmime të paracaktura dhe kontrata strikte. Kostandin Foni nga Shoqata e Transportit Publik paralajmëroi se nëse qeveria rrit TVSH-në në paketën e re fiskale, rritja e biletës për qytetarët do të jetë e pashmangshme.
Transporti publik, ndryshe nga taksitë që e përcaktojnë çmimin nga itinerari, ka një çmim të paracaktuar nga vendimi i Këshillit Bashkiak. Ne kemi një kontratë që na detyron të lëvizim me ose pa njerëz, me ose pa rritje të çmimit të karburantit. Çmimi i naftës arriti në një nivel ku ky sektor u bë i papërballueshëm. Për këtë kemi kërkuar kompensim, i cili u dha për muajt mars, prill, maj, dhe ka dalë një Vendim Këshilli Ministrash edhe për muajt deri në tetor. Tani që çmimi i karburantit vijon të rritet, na është premtuar subvencionim edhe për dy muajt në vijim. Ndërkohë që kryeministri ka shpallur paketën e re fiskale, ne kemi kërkuar prej kohësh që për këtë sektor të jemi në nivelet e rajonit sa i përket TVSH-së. Kosova e ka 0%, vendet e rajonit e kanë 6%, ndërsa vendet e zhvilluara 10%. Kemi kërkuar të jemi pjesë e shportës fiskale, sepse shtresa që ne transportojmë në përditshmëri është pikërisht ajo që jeton me produktet e shportës. Ishim edhe te Komisioni i Ekonomisë ku shprehëm kërkesat tona për TVSH-në dhe akcizën. Nëse kjo nuk arrihet dhe paketa fiskale kalon duke e rritur pragun e TVSH-së nga 20% në 21%, automatikisht do të rritet edhe çmimi i biletës.
