
Momente tensioni kanë shoqëruar minutat para nisjes së seancës së sotme parlamentare, ku qytetarët kanë marshuar nga sheshi “Skënderbej” drejt godinës ku zhvillohen punimet e të zgjedhurve.
Me thirrjet “Nuk na përfaqësoni”, “Deputetë frikacakë” dhe “Këtu vendosim ne”, protestuesit kanë hequr gardhin metalik të vendosur si barrierë në afërsi të Parlamentit.
Protestuesit kanë hedhur vezë dhe domate drejt policisë por dhe makinave të deputetëve, teksa kordoni i policisë është zgjeruar përtej hyrjes së Parlamentit, duke mos i lejuar protestuesit të afrohen.
Më pas gjatë momenteve të tensionit, policia është kundërpërgjigjur me ujë me piper dhe spraj. Ndërkohë më herët protestuesit bllokuan kryqëzimin e Unazës te Rruga e Elbasanit.
Edhe ambasada amerikane me anë të një mesazhi drejtuar qytetarëve të saj në vendin tonë, i këshillon që të shmangin vendet e protestave.
Edhe pse protestat dhe tubimet e mëdha shpesh fillojnë në mënyrë paqësore, situata mund të ndryshojë shpejt. Protestat mund të shtrihen edhe në zona përreth, përfshirë ndërtesa të tjera qeveritare.
Prania e shtuar e policisë, mbyllja e rrugëve, devijimet e qarkullimit dhe ndërprerjet në trafik priten në orët para dhe gjatë zhvillimit të protestave. Personeli i qeverisë së Shteteve të Bashkuara këshillohet të shmangë zonat ku zhvillohen protestat.



