Arrihet marrëveshja Kosovë-Serbi në Ohër, por mungon firma

Arrihet marrëveshja Kosovë-Serbi në Ohër, por mungon firma

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç ranë dakord për zbatimin e Marrëveshjes drejt normalizimit të marrëdhënieve mes tyre, të mbështetur nga BE-ja. Lajmi u bë me dije dje në mbrëmje nga shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell. Pas takimit maratonë në Ohër të Maqedonisë së Veriut, Borrell foli për gazetarët, duke e konsideruar një “arritje të rëndësishme”.

“Ajo që palët pranuan, është që Marrëveshja dhe zbatimi i saj përmes Aneksit të bëhen pjesë integrale e rrugëve të tyre përkatëse drejt Bashkimit Evropian”, tha Borrell.

“Është e qartë se të dyja palët do të kenë përfitim të madh nga kjo marrëveshje, sepse dialogu nuk është vetëm për shkak të Kosovës dhe Serbisë, por ka të bëjë me stabilitetin, sigurinë dhe prosperitetin e të gjithë rajonit”, shtoi ai.

Megjithatë vlen për t’u theksuar se pala serbe refuzoi ta nënshkruajë zyrtarisht marrëveshjen. Sidoqoftë si Kurti ashtu edhe Vuçiç ranë dakord që zbatimi i saj të fillojë sa më shpejt të jetë e mundur. Marrëveshja me 11 nene, nuk e detyron Beogradin ta njohë Prishtinën, por dy vendet zotohen të pranojnë dokumentet, simbolet e njëra-tjetrës, përfshirë: pasaportat, diplomat dhe targat. Pjesë e marrëveshjes është edhe formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, që më herët kur ishte në opozitë, është kundërshtuar fuqishëm nga Kurti.

 

PIKAT E ANEKSIT 

  • Aneksi është një pjesë integrale e Marrëveshjes.
  • Kosova dhe Serbia angazhohen plotësisht për t’i respektuar të gjitha nenet e Marrëveshjes dhe këtë Aneks, dhe për t’i zbatuar të gjitha detyrimet e tyre përkatëse – që rrjedhin nga Marrëveshja dhe Aneksi – në mënyrë të përshtatshme dhe në mirëbesim.
  • Palët e kanë parasysh se Marrëveshja dhe Aneksi i zbatimit bëhen pjesë integrale e proceseve përkatëse të anëtarësimit të Kosovës dhe Serbisë në BE. Palët e kanë parasysh se, menjëherë pas miratimit të Marrëveshjes dhe këtij Aneksi, ndërmjetësuesi i BE-së do të fillojë procesin për t’i ndryshuar standardet e Kapitullit 35 për Serbinë, për t’i konsideruar detyrimet e reja të Serbisë, që rrjedhin nga Marrëveshja dhe Aneksi.
  • Palët pajtohen për të miratuar Deklaratën për Personat e Zhdukur, siç është negociuar në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, si çështje urgjente.
  • Për të zbatuar Nenin 7, Kosova nis menjëherë negociatat në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, për përcaktimin e aranzhimeve dhe garancive specifike, që sigurojnë një nivel të duhur të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë, në përputhje me marrëveshjet e mëparshme përkatëse të dialogut, siç përcaktohet nga ndërmjetësuesi i BE-së.
  • Palët bien dakord për të krijuar një Komitet të Përbashkët Monitorues, të kryesuar nga BE-ja, brenda 30 ditësh. Zbatimi i të gjitha dispozitave do të sigurohet dhe mbikëqyret nga Komiteti i Përbashkët Monitorues.
  • Për të zbatuar Nenin 9, BE-ja do të organizojë një konferencë donatorësh brenda 150 ditësh, për të krijuar një paketë investimesh dhe ndihme financiare për Kosovën dhe Serbinë. Asnjë shpërndarje nuk do të ndodhë përpara se BE-ja të përcaktojë se të gjitha dispozitat e Marrëveshjes janë zbatuar plotësisht.
  • Kosova dhe Serbia pajtohen që të gjitha nenet të zbatohen në mënyrë të pavarur nga njëra-tjetra.
  • Rendi i paragrafëve të këtij Aneksi nuk e paragjykon rendin e zbatimit të tyre.
  • Kosova dhe Serbia pajtohen që të mos e bllokojnë zbatimin e asnjë prej neneve.
  • Të gjitha diskutimet në lidhje me zbatimin e Marrëveshjes do të zhvillohen në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja.
  • Kosova dhe Serbia pranojnë se mosrespektimi i obligimeve të tyre nga Marrëveshja, Aneksi ose Marrëveshjet e Dialogut të kaluar, mund të ketë pasoja të drejtpërdrejta negative për proceset e tyre përkatëse të anëtarësimit në BE dhe për ndihmën financiare që marrin nga BE-ja.
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy