Presidenti francez Emmanuel Macron duket se është tërhequr nga komentet e tij për sulmet izraelite që vranë shumë civilë në Gaza, të cilat ai i bëri në një intervistë me BBC të premten ndërsa bëri thirrje për një armëpushim.
Vërejtjet shkaktuan një reagim të ashpër nga kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu, i cili akuzoi Macron për "një gabim të rëndë, faktikisht dhe moralisht".
Të dielën, udhëheqësi francez nisi një telefonatë me presidentin e Izraelit për të sqaruar pozicionin e tij, duke thënë se ai "nuk kishte ndërmend të akuzonte Izraelin për dëmtim të qëllimshëm të civilëve të pafajshëm", sipas zyrës së Herzog.
Presidenti izraelit Isaac Herzog tha se komentet "shkaktuan shumë dhimbje dhe mërzitje në Izrael".
Macron përsëriti gjithashtu mbështetjen e tij për të drejtën e Izraelit për vetëmbrojtje dhe përkushtimin e tij për të siguruar lirimin e pengjeve të mbajtura në Gaza, duke shpjeguar se komentet e tij ishin " bërë në lidhje me situatën humanitare".
Herzog thuhet se e siguroi homologun e tij francez se Izraeli po merrte "të gjitha masat e mundshme për të parandaluar dëmtimin e civilëve të papërfshirë" dhe ia hodhi fajin Hamasit për vdekjet e civilëve.



