
Kreu i Konfindustrisë, Gjergj Buxhuku deklaroi në studion e emisionit “MCN Economy” se qeveria duhet të bëjë një studim të mirëfilltë për të përcaktuar nëse Shqipërisë i duhet një de-euroizim apo një euroizim i ekonomisë.
Duke vijuar shpjegimin e tij, Buxhuku tha se duhet të mendojmë si do ta ndihmojmë prodhimin vendor duke shtuar se çdo politikë monetare që merret duhet të lidhet me ekonominë reale dhe me pasojat që ato sjellin.
Marrim nisma, si de-euroizmi pa bërë studim fizibiliteti. Siç mund të flasim për de-euroizim mund të flasim dhe për të kundërtën. Nevojitet që para nismave të tilla të bëhet studim i plotë, për të thënë se çfarë ndihmon, çfarë pasojash pozitive ka. Ky është diskutimi bazik. Euroizmi, de-euroizimi ka lidhje me dy faktorë, e para nëse jemi në gjendje për të ndjekur politika monetare, më efektive më të fuqishme për të mbrojtur prodhimin vendor dhe për të mbrojtur konsumatorët. Marrim nisma që praktikisht, nuk japin ndonjë produkt të mirëfilltë të prekshëm. Edhe të diskutojmë nëse u arrit apo jo nuk është se jep një përfundim të prekshëm. Problemi është se çfarë prisje dhe çfarë ndodhi. Nuk ndodhi asgjë, procesi shkoi në mënyrë natyrale. Para se të flasim për këto nisma duhet të mendojmë si do e ndihmojnë prodhimin vendor. Qeveria duhet të bëjë studim të plotë nëse Shqipërisë i duhet de-euroizimi, masa të përcaktohet, apo duhet euroizimi i plotë dhe se kur, për të kuptuar si do të ndikojnë në ekonominë shqiptare. Nëse nuk jemi në gjendje të ndjekim politika monetare efektive është e pavlerë.
Ne arritëm në një përfundim, është vështirë të thuash nëse de-euroizimi ka qenë i suksesshëm. Eshtë thënë që “jo”. Kjo “jo”-ja vjen për arsye objektive, Kështu është ndërtuar struktura. Të ardhurat në ekonominë shqiptare nga jashtë brenda, një pjesë e madhe janë informale dhe krijohet një stok që praktikisht është i pallogaritshëm. Nuk i kemi aftësi të mëdha institucionale që të bashkërendojmë ndërhyrjen në sisteme të tilla.
Kemi flukse të valutave nga jashtë, një pjesë janë të paarsyetuara. Leku është forcuar jashtëzakonisht dhe nuk mund ta themi nëse ky forcim është pozitiv. Ka sektorë që këtë forcim e shohin si problem të madh. Kur flasim për politika të tilla monetare, ne duhet t’i kemi me ekonominë reale, me pasojat pozitive e negative që sjellin në ekonominë reale. Nuk jemi në gjendje të bëjmë strategji të mbyllur.



