
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka vendosur mbrëmë vonë që të shtyjë afatin për shqiptimin e gjobave në drejtim të serbëve të cilët nuk kanë konvertuar targat e automjeteve nga ato ilegale në RKS.
Kurti, ka njoftuar përmes llogarisë në Twitter se ka pranuar kërkesën e SHBA-ve për të shtyrë vendimin për targat.
Kërkesa për shtyrje erdhi nga ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier, përmes një njoftimi në Twitter.
Kurti, e ka falënderuar ambasadorin për “përkushtimin dhe angazhimin”, derisa ka shtuar se “e pranoj kërkesën e tij për shtyrje prej 48 orësh të gjobave për targat ilegale ‘KM’ dhe të tjera”.
“Jam i lumtur të punoj me SHBA-të dhe BE-në në gjetjen e një zgjidhje gjatë këtyre dy ditëve”.
Ambasadori në deklarimin në njoftimin e tij shkroi se “SHBA-të janë të shqetësuara që liderët e Kosovës dhe Serbisë nuk mundën që të arrijnë marrëveshje sot për krizën aktuale në Kosovë”.
“Ne kemi kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të shtyjë vendosjen e gjobave për 48 orë që t’i mundësojnë BE-së dhe SHBA-ve gjetjen e një zgjidhje.
Thirrja për shtyrje e ambasadorit vjen pas takimeve të shumtë e të gjatë në Bruksel, në mes të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, presidentit serb, Aleksandër Vuçiç dhe ndërmjetësuesve të Brukselit, Josep Borell e Miroslav Lajcak.
Nga këto takime nuk u dol me asnjë zgjidhje.
Siç u kuptua më vonë. BE-ja ka vendosur një propozim ku Kosovës i kërkon të shtyjë vendimin për gjobat e veturave me targa ilegale, ndërsa Serbisë që të ndalojë emetimin e atyre targave.
Vuçiç është pajtuar me propozimin. Me propozimin për shtyrje është pajtuar edhe Kurti, por ka kërkuar që pjesë e kësaj marrëveshje të jetë caktimi i afatit për arritjen e një marrëveshje të përgjithshme për normalizim.
Ky ka qenë kushti i Kurtit që të pranojë vendimin, kjo është refuzuar dhe më pas palët kanë mbetur pa marrëveshje.



