Ish-ministri i Jashtëm Paskal Milo deklaroi në edicionin e lajmeve në MCN TV se nënshkrimi i marrëveshjeve mes qeverive Rama dhe Kurti tregon se jemi në proces afrimi dhe bashkëpunimi. Megjithatë ai këshilloi që të shmangen termat “bashkim”, “unifikim” apo dyshtetësi që u përdor nga Berisha, pasi ngjallin reagime se po krijohet e ashtuquajtura “Shqipëri e Madhe”.
Marrëveshjet patjetër që shënojnë hapa përpara në bashkëpunimin mes dy vendeve. Çojnë në afrimin mes dy vendeve dhe shqiptarëve në dy anët e kufirit. Nga pikëpamja politike, nënshkrimi i marrëveshjeve nuk tregon se jemi në proces bashkimi mes dy vendeve. Mund të jemi në një proces faktik afrimi, bashkëpunimi, por kur thua në kuptimin politik duhet të jemi të kujdesshëm. Politika shqiptare në Prishtinë dhe Tiranë, duke hedhur hapa konkrete drejt bashkëpunimit, duhet t’u shmanget termave bashkim, unifikim, apo dyshtetësi siç tha Berisha. Këto janë fakte dhe koncepte që ngjallin reagime jo vetëm në rajon, por edhe në Evropë e më gjerë. Hapat zyrtarë të jenë të kujdesshëm që mos shkaktojnë keqkuptime, reagime. Dëgjova Berishën që tha s’po jepet dyshtetësia. Kur e thua në adresë të Kosovës, ajo automatikisht çon në reagime, që kanë të bëjnë me akuzën e vjetër, që ja po krijohet Shqipëria e Madhe. Në thelbin e vet është krijesë e vjetër e atyre që s’e kanë dashur Shqipërinë dhe e kanë dashur të copëtuar. Pa mbështetje dhe mirëkuptim ndërkombëtar s’mund të bëhen gjëra të tilla, thjesht përdoren si pretektse për akuza”.
I pyetur, a po zbuten tonet Rama-Kurti?, Milo tha se do të jetë çështje kohe që Prishtina të marrë statusin vëzhgues në nismën “Ballkani i Hapur”.
Pozicionet e tyre deri tani kanë qenë të distancuara. Rama ka qenë një nga inicatorët e Ballkanit të Hapur, z.Kurti një nga kundërshtarët. Është e vështirë të kenë një kthesë dhe të ndryshojnë totalisht opinion. Z.Kurti sot i takonte si mikpritës të ishte më i kujdesshëm. I takonte që ta mirëkuptonte gjuhën e Ramës. Me heshtje dhe mimikë mund të mos jetë shprehur dakord por… Kjo ndoshta mund të shënojë një pikë kthese, dhe le të shpresojmë që takimi i sotëm të ketë shërbyer për një kthesë të lehtë, për takimin e radhës të Ballkanit të Hapur, ku mund të shkojë edhe z.Kurti me statusin e vëzhguesit. Ka arsye pse Prishtina të reagojë pozitivisht për të marrë një kthesë jo 180 gradë. Ta marrë kthesën me argumente, duke e rianalizuar pozicionin e Kosovës edhe për shkak të konjukturës në rajon, ku edhe dy vende të tjera në rajon kanë marrë pozicionin e vëzhguesit. E quaj çështje kohe që Kosova të pranojë fillimisht statusin e vëzhguesit”.
Milo komentoi edhe rezultatet e zgjedhjeve në Francë duke theksuar se humbja e shumicës në Asamble do të dobësojnë pozitat e Macron jo vetëm brenda vendit, por edhe në BE.
Para dy muajsh kur u bënë zgjedhjet Presidenciale, Macron fitoi 27 për qind të votave në raundin e parë. Në raundin e dytë votat u bashkuan. Midis Le Pen-it dhe Macronit, shumë nga partitë në qendër dhe afër qendrës mbështetën Macronin. Partia e Macron ndërroi emrin dhe në këto zgjedhje u paraqit me emrin ‘Rilindje’ nuk mund të pretendonte të merrte më shumë vota. E djahta franceze, Marine Le Pen bëri fushatë të mirë në raport me të kaluarën. Rezultati është vijimi i punës së mirë që e djathta ekstreme bëri gjatë zgjedhjeve presidenciale. Tsunami elektoral u quajt rënia e parties së Macron. Problemi është se me kë do bëjë koalicion. Po diskutohet dhe Mélenchon hodhi tezën që Grupimi Popullor që fitoi vendin e dytë, propozoi të shkojnë në Asamble të paraqiten si një grup i vetëm, socialistët, komunistët, ekologjistët. Ai ka frikën se duke shkuar veç e veç mund të përçahen. Ai e bëri që të forcojë opozitarizmin kundër Macron-it.
Macroni duhet të zgjidhë problemin, nëse do krijojë qeveri të pakicës dhe të ketë shumicë opozitare dhe nëse do krijojë koalicion qeveritar, me kë do ta krijojë dhe çfarë koncesionesh do t’u bëjë atyre. Rezultati i dobëson pozitat e Macron jo vetëm në Francë, por edhe në gjirin e BE. Pozitat e lëkundura të Macron-it nuk e bëjnë atë një lojtar politik të besueshëm evropian. Edhe nismat në kuadër të BE-së do jenë pak më timide, pak më të kujdesshme. Me sa duken gjasat, nisur edhe nga fakti që Bullgaria ndodhet kuazi në krizë qeveritare dhe s’ka kohë për të materializuar kompromisin e Macron-it. Megjithëse unë parashikoj që bullgarët s’do pranojnë këto ditë kompromis për hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut”.



