Një ngjarje e rëndë ndodhi pasditen e djeshme në Greqi, ku një person u vra me armë zjarri dhe tre të tjerë mbetën të plagosur. Sipas autoriteteve greke, viktima është një 53-vjeçar shqiptar, ndërsa një nga të plagosurit është djali i tij 25-vjeçar.
Mediat greke raportojnë se ngjarja e rëndë ndodhi në një lokal në Athinë. Nga hetimet e kryera nga autoritetet greke, bëhet me dije se viktima kishte ndërhyrë për të shpëtuar djemtë e tij, të cilët mesa duket ishin përfshirë në një konflikt brenda lokalit. Njëri nga dëshmitarët ka thënë për mediat greke se 53-vjeçari shqiptar ishte banor i zonës dhe familja e tij nuk ka qenë asnjëherë problematike.
“Dëgjova të shtënat. Dola jashtë dhe shkova në vendngjarje. Pashë viktimën, e njoh personalisht sepse është banor i lagjes, janë familje shumë e mirë. Gruaja e tij po qante nga ballkoni sipër. Shkova brenda lokalit dhe pashë djalin. Hyra brenda, i fola dhe i mbajta kokën. Më pas erdhi policia dhe u largova”, ka thënë njëri nga banorët e zonës i cili ka qenë i pranishëm në vendin e ngjarjes.
Policia greke dyshon se viktima dhe i plagosuri janë konfliktuar fillimisht fizikisht me autorët. Më pas këta të fundit përdorën armët. Nga vendi i ngjarjes, autorët u larguan me shpejtësi me një makinë dhe janë shpallur në kërkim. Autoritetet greke po analizojnë pamjet e kamerave të sigurisë për të identifikuar personat e përfshirë. Por sipas mediave të Athinës, policia ka përjashtuar pistën e një vrasje të paramenduar, por po heton për një sherr të çastit. E plagosur lehtë nga të shtënat me armë zjarri mbeti dhe kamarierja e lokalit, e cila është jashtë rrezikut.



