Rasti tragjik i familjes Josifi në Kombinat ka kthyer edhe njëherë në vëmendje ndikimin e dyshuar të sektit të Dëshmitarëve të Jehovait te vetëvrasjet. Përgjatë viteve të fundit kanë qenë disa rastet e vetëvrasjeve, për të cilat janë hedhur dyshimet se janë nxitur nga ky sekt.
Mbrëmjen e së enjtes, një grua 56-vjeçare dhe vajza e saj 30 vjeçe u gjetën të vdekura në shtëpinë e tyre, ndërsa vajzat tjetër ishte në gjendje të rëndë. Policia dyshon se dy gratë janë vetëflijuar, madje trupi i 30-vjeçares u gjet në gjendje të dekompozuar. Mbrëmjen e kaluar teksa dha detaje për ngjarjen kreu i policisë së Tiranës, Rebani Jaupaj tha se në banesë u gjet material me përmbajtje fetare.
Rasti tragjik të kujton vetëvrasjet e fëmijëve dhe adoleshentëve përgjatë viteve të fundit.
Një prej rasteve më të hershme në Shqipëri është ai i regjistruar në nëntor të vitit 2003, në Karbunarë të Lushnjes. 17-vjeçarja Marsela Binjaku nga u vetëvra me armë gjahu, duke lënë pas një letër lamtumire ku thoshte se donte të shkonte e pastër dhe sa më shpejt afër Zotit. Vetëm pak muaj para vetëflijimit, vajza ishte shpallur dëshmitare e Jehovait.
Në shkurt të 2005-s, një 11-vjeçare në qytetin e Fierit i dha fund jetës qortimeve të shumta të prindërve, se në vend të studionte lëndët shkollore, lexonte literaturë, të ofruar nga Dëshmitarët e Jehovait.
Po në shkurt të atij viti, 24-vjeçarja Silvana Hoxha vdiq pasi refuzoi të merrte gjak për të shpëtuar.
Në prill të 2013-s, në fshatin Pobrat të Komunës Gjinar në Elbasan, 18-vjeçari Bajram Ahmati u gjet i varur me litar në pragun e shtëpisë. Dyshimet ranë menjëherë mbi ndikimin që mund të ketë pasur sekti fetar që ai ndiqte.
Në prill 2014, 13-vjeçari Bledar Xhaja u gjet i varur në degë të fikut, pak metra larg banesës së tij në sektorin “Rinia”, Durrës. Në atë kohë, familjarët hodhën dyshimin se shkaku që ka shtyrë Bledarin drejt vetëflijimit ka qenë takimi pak ditë më parë me dëshmitarët e Jehovait.
Raste të tjera vetëvrasjesh që kanë lënë pas një pikëpyetje të tillë janë raportuar pothuajse çdo vit. Numri më i madh i vetëvrasjeve të kësaj natyre është shënuar mes viteve 2004 deri në 2008. Gjatë kësaj kohe ka pasur raste edhe në Tiranë: një në zonën e Krrabës, ndërsa tjetri në Paskuqan.
Ndërkohë, katër muaj më parë, po në Tiranë u regjistrua një rast i ngjashëm. Një i ri ndërroi jetë sepse kishte vendosur të refuzonte ushqimin në Mjull Bathore dhe dyshimet për këtë ranë te ndikimi i dëshmitarëve të Jehovait.
Një detaj i ngjashëm është ai i ngjarjes së të enjtes në Kombinat. Vajza e mbijetuar, Blerta, ka deklaruar se ajo dhe nëna kanë refuzuar çdo gjë: ushqim dhe ujë, për 40 ditë.
Megjithatë, përmes një deklarate drejtuar mediave, Dëshmitarët e Jehovait kanë hedhur poshtë pretendimet se viktimat e familjes Josifi ishin pjesë e këtij sekti fetar.



