Dalja në garë e partive të reja të djathta, dhe deklaratat për një lëvizje të zonjës Topalli, analisti Mustafa Nano i sheh si vota që do t’i rrjedhin së djathtës. Por sipas Nanos, ai që e ka dëmtuar më shumë Partinë Demokratike në këto 7 vjet duke i shërbyer Ramës është Lulëzim Basha.
“E vërteta është që partitë e reja që lindin e penalizojnë PD. Nuk e di në ç;masë, por Topalli dhe Patozi, por edhe Murrizi marrin vota demokratësh. Por ata nuk u kanë ndonjë borxh, po bëjnë gjënë që mendojnë se është e udhës për ata. Të gjitha akuzat se ata po i shërbejnë Ramës janë qesharake. Unë njoh vetëm një emër që i ka shërbyer mirë Ramës në këto 8 vjet, ai është Lulzim Basha”, tha Nano.
Nano shtoi se emra me peshë dikur në PD, edhe nëse nuk marrin një mandat deputeti, do ta dëmtojnë PD-në.
“Nëse flasim për personazhe si Topalli me ndikim të madh në Shkodër, ajo mund të mos bëjë ndonjë dëm të madh në plan kombëtar, ajo bën një dëm të madh në Shkodër. Mund edhe të mos fitojë, por dëmin e bën. Kështu që shqetësimi brenda PD është i drejtë”, tha ai.



