Aksident me pasojë një person të vdekur është regjistruar në aksin Lushnjë-Fier.
Mësohet se makina ka dalë nga rruga kryesore, në Krutje, vendi i quajtur “Sheshpushimi i shoferit”, ku fillimisht është përplasur me një shtyllë elektrike dhe më pas me një strukturë betoni muri anësor të një kanali aty pranë.
Si pasojë ka mbetur i vdekur drejtuesi i mjetit, trupi i të cilit është gjetur i pajetë pak pas mesnatës mbi timon, në kanalin anësor të rrugës, ndërsa është dashur një orë punë nga zjarrfikësit dhe policia për ta nxjerrë dhe dërguar në morg.
Burime thanë se nga verifikimet e para rezulton se autovetura tip “BMW”, me targa AB507DT, rezultonte i marrë me qira, por po hetohet nëse emri i gjetur në regjistrin e kompanisë është i njëjtë me të viktimës.
Sipas dinamikës fillestare të vendngjarjes, dyshohet se shoferi ka qenë me shumë shpejtësi dhe mjeti ka dalë nga rruga kryesore, duke kryer përplasje dhe rrokullisje.
Policia e Qarkullimit Rrugor ngriti një grup hetimor me ekspertë dhe po punon për rrethanat dhe shkaqet e aksidentit.



