Kryeministri Edi Rama teksa komentoi marrëveshjen e lidhur me PD-në më 18 maj, e cilësoi këtë vendim si aktin më të mirë që ishte bërë në këto 4 vite. Në një intervistë për ‘Top Story’ Rama tha se marrëveshja ishte rezultat i dy partive.
“Unë shpresoj që kriza e PD mos të ndikojë. Është fushatë brenda partisë dhe secili kërkon arsye për t’u përballur me tjetrin. Por nëse ka pasur akt të duartrokitshëm me PD, ka qenë ajo marrëveshje. Kur flas për marrëveshjen, s’kam asnjë parapëlqim. Po të jetë për parapëlqime, nuk kam asnjë kohë që të merrem se ça parapëlqej në kampi tjetër, se duhet të merrem se ça pëlqej në kampin tonë. Ajo marrëveshje ka dalë si rezultat jo thjesht i dy forcave politike, por si rezultat i një momenti kur thonë se; kupa u mbush me një lloj politike të caktuar.”, theksoi ai.
Kryeministri konfirmoi se do të ketë shumë ndryshime. Duke folur për ministrat teknikë, Rama shprehu bindjen se ata do të largohen para se t’i shkarkojë ai.
“Do kemi qeveri të re në shtator. Unë mendoj se emrat janë të parëndësishëm. Ende s’kam menduar për to. Unë besoj te sistemi më shumë sesa te emri. Jemi në një fazë tranzicioni. Duhet të rishikojmë buxhetin dhe duhet të shohim patjetër situatën e energjetikës”, tha Rama.



