Seanca e sotme plenare ka nisur me debate pasi Partia Demokratike dhe deputetët e opozitës kanë kërkuar mocion me debat me kryeministrin Edi Rama për situatën ekonomike.
Sekretari i grupit parlamentar të PD, Arbi Agalliu kërkoi që të ndryshonte rendi i ditës dhe kryeministri Rama të dilte sot në interpelancë, por kjo gjë nuk është pranuar.
Ai nuk i konsideroi masat e marra nga qeveria pasi ishin të parashikuara në buxhet dhe sipas Agalliut nuk ndihmojnë konsumatorin.
Si sekretar i grupit parlamentar të PD jam këtu për të përcjellë shqetësimin. Si grup kemi kërkuar në interpelancë kryeministrin lidhur me situatën ekonomike në vend. Kemi rritje të theksuar të çmimeve. PD ka bërë disa propozime duke filluar nga reduktimi i tvsh për disa produkte të shportës apo ulja e barrës fiskale për produkte të tjera. Këto propozime s’u morën në konsideratë. Ne përballemi sot edhe me abuzueshmërinë e sektorëve të caktuar. Ne s’jemi dakord me masat e qeverisë, nuk ishin masa sepse ishin programuar në buxhet, pjesa tjetër janë fasada sepse nuk ndihmojnë qytetarët. Rama është i detyruar të vijë ose të delegojë dikë për tu dhënë përgjigje deputetëve.
Edhe Edmond Spaho deklaroi se Rama duhet të ishte sot në interpelancë.
Nga ana tjetër kryetarja e Kuvendit Lindita Nikolla deklaroi se ishte pamundësi objektive për të mundësuar interpelancën e kryeministrit në këtë seancë.
Ndërsa deputetja deputetja Albana Vokshi u shpreh se deputetëve po i mohohet e drejta në shkelje të rregullores.
Në shkelje të rregullores mos mohoni të drejtat e deputetëve. Më 23 shkurt kamë kërkuar interpelancë me Ballukun për shembjen e shtëpive në '5 maj' e Paskuqan. Kanë kaluar më shumë se 3 javë dhe sot ende nuk e kemi në rend të ditës. Kemi dy interpelanca nga një deputet i maxhorancës sot, ju jetën nuk e fusni në rend të ditës. Më 2 mars një grup deputetësh kanë kërkuar një mocion me debat dhe rezolutë për Ukrainën. Ju nuk e mblodhët konferencën e kryetarëve brenda 3 ditësh, duke shkelur rregulloren. Të martën, kemi kërkuar interpelancë për çështje urgjente. Refuzimi juaj nuk qëndron, duhej të kishit dashamirësinë që këtë çështje të rëndësishme, ku ka një valë protestash ta kishit futur si pikë të parë të rendit të ditës.



