
Besmir Semanaj, ekspert IT paketat për shërbimin mobile në Shqipëri janë shumë herë më të shtrenjta në krahasim me atë që ofrohet në rajon dhe në vendet e BE-së. Sipas Semanajt nuk ka ulje të abonentëve, thjesht ata janë ndarë vetëm në dy kompani.
Kemi të bëjmë me rritjen e çmimeve. Po të marr shembull numrin që përdor në Austri. Pak a shumë e njëjta paketë është 2.5 herë më e shtrenjtë në Shqipëri se në Vjenë.
Sa i përket rënies së abonentëve, nuk besoj ka rënë numri i abonentëve, por po pasqyrohet në mënyrë tjetër. Është shkurtuar koha e vlefshmërisë së paketave, e parave në llogari dhe vlefshmërisë së numrave.
Kur kishim 4 kompani, këto kompani vazhdimisht bënin oferta të ndryshme dhe qytetarët mbanin më shumë se 1 numër për të shfrytëzuar këto paketa, tani kemi paketa të unifikuara mes dy kompanive dhe qytetarët nuk bëjnë këtë ndryshimin nga një numër në tjetër.
Tregu është ndarë përgjysmë, çmimet janë rritur dhe kompanitë janë të kënaqura. Ky numër më i ulët është karta që nuk aktivizohen dhe nuk çaktivizohen.
Më tej Semanaj tha se është shumë e rëndësishme që në Shqipëri të implementohen disa MVNO, rrjete virtuale mobile që ofrojnë shërbime sipas kërkesave të klientëve duke shfrytëzuar infrastrukturën fizike të One dhe Vodafone.
Abonentët janë të njëjtë dhe janë përqendruar në dy kompani dhe paguajnë paketa shumë të shtrenjta krahasuar si me tregun e rajonit dhe tregun e BE.
Kemi dhe një problematikë, duke qenë se kemi 2 kompani, minimalisht duhet të kishim disa MVNO disa rrjete virtuale mobile. Që do të thotë kompani që nuk kanë infrastrukturë fizike, por bazuar në kërkesat që kanë abonentët, mund të ofrojnë më shumë internet, minuta në roaming. Shqipëria është një nga vendet e vetme që nuk e ka të implementuar.
Duhet të implementohet MVNO-të. Kjo është zgjidhja më e shpejtë. Mesa di ka kaluar një ligj, por deri tani s’kemi një kompani sepse AKEP-i duhet të detyrojë këto dy kompani, ONE dhe Vodafone që t’i vendosë në dispozicion përdorimin e rrjetit të tyre por me një çmim të leverdishëm.



