
Kryedemokrati Sali Berisha deklaroi se ditën e sotme u njoftua se Komisioni Europian pezulloi për shkak të korrupsionit, fondet për bujqësinë shqiptare. Në një dalje për mediat ditën e sotme ai tha se për shkak të vjedhjes dhe shpërdorimit nga kleptokratë të parave të BE që janë jetike për bujqësinë shqiptare. “Por këto para shpërdorohen dhe vidhen nga agjencitë qeveritare shqiptare. Ndaj na del edhe Akademia e Çobanëve tani dhe Materniteti i Mushkave. Por nuk është vetëm kjo vjedhje, unë i bëj thirrje Komisionit Europian, në interesin më të mirë të shqiptarëve, por edhe të taksapaguesve europianë, të hetojnë çdo projekt në infrastrukturë në Shqipëri dhe janë jo të pakta. KE ka financime të mëdha. Bajpasi i Vlorë është krejtësisht vepër e tyre dhe shume projekte të tjera. Se këta nuk vënë asnjë tabelë si mirënjohje, aty vihet tabela Salillari. Pra, është një lajm i mirë kjo, optimist për shqiptarët, sepse institucioni hetimor i BE veproi dhe vendosi. Është e rëndësishme shumë që të dalë në pah i gjithë korrupsioni shqiptar në përmasat e tij.” Ndërsa për arratisjen e Arben Ahmetaj, shtoi se shtetit i arratiset zyrtari i dytë më i lartë i ekzekutivit, por se për bosin e organizatës kriminale, kjo nuk ka ndodhur. “Ndaj dhe me një paturpësi dhe cinizëm ekstrem, rrahte gjoksin, fliste për drejtësinë me ministrat në arrati dhe nuk fliste për arratinë dhe paturpësinë në një mungesë totale respekti ndaj qytetarëve. Në një papërgjegjësi të plotë, në një apel të hapur për secilin nga zyrtarët e tij që të arratisen në rast se thirren nga drejtësia. Gjushi meriton një dekoratë që nuk u arratis. Shikoni Gjushin dhe i çonin policinë, që ti thonin të ikte. Por Gjushi nuk iku, pse, e di ai vetë. Kurse ky, i arratiset dhe nuk flet asnjë fjalë, çka do të thotë se ju të tjerët, njëri pas tjetrit. A ka kjo paturpësi, hipokrizi dhe cinizëm më të madh ndaj shqiptarëve? Afera e inceneratorëve është afera e inceneratorëve, sikundër arratisja e Ahmetajt është arratisja e shekullit.”



