
Në Fajzë të Hasit politika nuk mbahet mend për punë, por për premtime. Banorët tregojnë se prej 35 vitesh dëgjojnë të njëjtën fjali në çdo fushatë: “Do bëhet rruga, do vijë uji, do ndryshojë fshati”. Por sapo mbarojnë zgjedhjet, Fajza zhduket nga harta e shtetit.
Në këtë fshat ka shkuar vetë kryeministri Edi Rama. Ka hyrë mes banorëve dhe u ka premtuar “ndryshim rrënjësor”, ujë, rrugë dhe mbështetje për komunitetin. Sot, pas kaq vitesh, banorët thonë se nuk ka ndryshuar asgjë. Rruga vazhdon të jetë ajo e vitit 1965, ujësjellësi 1.2 milionë euro nuk sjell ujë, ndërsa njerëzit mbushin bidona në burime si në kohë harrese.
“Ne nuk po kërkojmë luks, po kërkojmë rrugë”, thotë një banor që prej 16 vitesh paguan taksa makine për një rrugë që nuk ekziston. Të tjerë tregojnë se politikanët vijnë vetëm me fuoristrada në fushatë, hedhin premtime dhe largohen duke i lënë pas në baltë.
Fajza është simboli i mashtrimit elektoral ndaj fshatit shqiptar. Një zonë me toka pjellore, me rezervuarë uji, me pyllin e rrallë të ahut dhe me potencial të madh për bujqësi e turizëm, por që po zbrazet çdo ditë. Të rinjtë ikin në emigrim, shtëpitë mbyllen dhe pleqtë kanë mbetur vetëm me shpresën te Zoti.
Banorët kujtojnë se dikur kjo zonë quhej “Myzeqeja e Dytë”, ndërsa sot tokat janë djerrë sepse mungon rruga, mungon uji vaditës dhe mungon shteti. Ata thonë se qeveritë kanë përdorur Fajzën vetëm për vota. Premtimet janë bërë nga të gjithë: ministra, deputetë, drejtues institucionesh dhe vetë kryeministri. Por në terren nuk është vendosur asnjë gur serioz.
Ironia më e madhe për banorët është se hidrocentrali i Fierzës ndriçon Shqipërinë mbi tokat e tyre të përmbytura, ndërsa vetë ata jetojnë pa rrugë, me transformator 50-vjeçar dhe me ujë vetëm pak minuta në ditë. “Ramës nuk i takon të marrë asnjë lekë për energjinë nga Fajza”, thotë një banor, ndërsa një tjetër shpërthen: “Një muaj të mos vjedhë ky shtet, bëhet rruga jonë”.
Në Liqenin e Kuq kanë mbetur vetëm 20 shtëpi nga 200 që kanë qenë dikur. Banorët tregojnë se po të bëhej rruga, emigrantët do të ktheheshin menjëherë për të investuar në bujtina, ferma e agroturizëm. Por pa rrugë, edhe ata që janë kthyer nga Gjermania po bëhen gati të largohen përsëri.
Fajza sot nuk kërkon premtime të reja. Banorët kërkojnë vetëm një gjë: që politika të mbajë fjalën që u ka dhënë prej dekadash.



