
Ish-kryeministri I Maqedonisë Nikolla Gruevski I ka shpëtuar arrestimit dhe ekstardimit të tij. Qeveria hungareze ka pranuar kërkesën për azil politik, duke e argumentuar me faktin e rrethanave të sigurisë.
“Ish-kryeministri i Maqedonisë ka deklaruar arsyet për mundësimin e statusit të refugjatit në Hungari. Duke pasur parasysh se Gruevski ka qenë për 10 vite kryeministër dhe duke marrë në konsideratë rrethanat e sigurisë, autoritetet tona i kanë lejuar Gruevskit të dorëzojë zyrtarisht kërkesë për azil dhe e kanë dëgjuar arsyetimin e tij në zyrat e Byrosë për migrim dhe azil në Budapest. Autoritetet hungareze do ta shqyrtojnë kërkesën e Gruevskit dhe do ta vlerësojnë në përputhje me ligjet hungareze dhe ato ndërkombëtare", thuhet në reagimin e qeverisë hungareze për mediat ne Maqedoni.
Ndër të tjera, qeveria e Viktor Orban thekson se nuk dëshiron të ndërhyjë në punët e brendshme të shteteve sovrane dhe konsiderojnë se vlerësimi i kërkesës për azil për ish kryeministrin do të shqyrtohet vetëm në aspektin juridik.
Procedura për azil zbatohet në afat prej 60 ditëve, por nuk përjashtohet mundësia e një vendimmarrje prej 15 ditësh.
Vendimi i qeverisë hungareze vjen fill pasi kryeministri aktual i Maqedonisë Zoran Zaev tha se paraardhësi i tij do të ekstradohet dhe do të vuajë dënimin në burgun e shutkës.



