Amnisti e kamufluar nën emrin “Paqe Fiskale”

Amnisti e kamufluar nën emrin “Paqe Fiskale”

Afërsisht një e treta e ekonomisë shqiptare është informale. Çfarë është një ekonomi gri? 

 

Paratë që injektohen dhe qarkullojnë në ekonomi nga burime të panjohura konsiderohen informale. 

 

Ato mund të gjenerohen nga aktivitete të ndryshme: puna në të zezë, fshehja e të ardhura, evazioni fiskal, korrupsioni apo krimi i organizuar. 

 

Për këto arsye amnistitë dhe nismat që merren për me qëllim formalizimin e këtyre parave janë të rrezikshme. Ato mundësojnë faljen e veprës penale të shkaktuar nga krimi, pastrimin e parasë dhe depërtimin e tyre lirshëm në ekonomi. 

 

Kjo vendos jo vetëm pabarazi, por krijon rrezik për të konsoliduar grupet kriminale që tentojnë të kapin pjesë të ekonomisë. Nga ana tjetër arrin të shpëtojë zyrtarët e lartë apo rrethin familjar të tyre që kanë përfituar pasuri të paligjshme përmes korrupsionit.

 

Një nga premtimet elektorale të Partisë Socialiste gjatë fushatës për zgjedhjet parlamentare 2025 po përmbushet me një nisëm ligjore të depozituar në Kuvend, nisëm e cila është tentuar ndër vite nga vetë socialistët, por dhe nga demokratët kur ishin në pushtet. 

 

Në sektorin e biznesit, sigurisht, janë të rrallë ata që ndiejnë keqardhje për faljen së detyrimeve tatimore dhe lejimit të deklarimit të aseteve që kanë mbajtur jashtë bilanceve. Bashkë me këtë projektligj, qeveria ka vendosur të përfshijë edhe rivlerësimin e pasurive të patundshme. 

 

Sjellja ndaj biznesit duket se është kontradiktore. Në momente të ndryshme shohim aksione për luftë kundër informalitetit e në të tjera ligje për të falur shkeljet, taksat e papaguara, gjobat dhe fshehjet që i janë bërë shtetit nga sektori privat. 

 

Falje të gjobave, detyrimeve tatimore, kamatvonesave apo një pjese të faturave të energjisë ka patur ndër vite, por amnisti të përgjithshme të kapitalit ku legalizohet çdo pasuri si nga falja e taksave të automjeteve, te fshirja e kamatëvonesave të faturave të energjisë elektrike.

 

Por kur flasim për amnisti të përgjithshme të kapitalit, pra para dhe çdo formë tjetër e pasurive të luajtshme apo të paluajtshme, nisma e parë daton qysh në vitin 1999.

 

Ideja asokohe u hodh nga presidenti Rexhep Mejdani dhe u mbështet në parim nga guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Shkëlqim Cani. Por politika nuk arriti një dakordësi dhe amnistia mbeti vetëm në letër.

 

Një nismë të njëjtë mori në vitin 2011 edhe kabineti “Berisha”. Drafti që u votua propozonte faljen e të gjitha detyrimeve tatimore dhe doganore kundrejt pagesës 3% të të gjithë borxhit. Përveç kësaj, falja përfshinte dhe taksat e makinave bashkë me gjobat, si dhe një pjesë të faturave të ujit dhe energjisë elektrike. Brenda kësaj amnistie, e cila pasi nuk gjeti konsensusin e opozitës së asaj kohe, shkoi në Parlament përmes një ligji për faljen e detyrimeve, u përfshi edhe rivlerësimi i pasurive kundrejt pagesës 1% të diferencës mes vlerës së tregut dhe asaj kur pasuria ishte blerë. 

 

Partia Socialiste nuk pranoi të votonte këtë falje. Argumentet bazoheshin te favorizimi i padrejtë i biznesit që bënte evazion, ndërsa akuzat për përdorimin të nismës për përfitime elektorale gjatë zgjedhjeve lokale që po zhvilloheshin atë vit ishin të shumta. 

 

Edhe biznesi ishte skeptik në këtë amnisti. Vite të ndryshme, qeveritë kishin bërë falje të detyrimeve në tatime e dogana, por vetëm për të pastruar bilancet e administratës dhe jo të sipërmarrësve. Në vitin 2008 ishte votuar në Kuvend në nismë e tillë, borxhi tatimor sërish ishte 530 milionë dollarë.

 

Koha ka treguar se faljet në Shqipëri nuk kanë arritur të shfryjnë dot bilancet e borxheve në tatime e dogana. Nga 530 milionë dollarë, në përfundim të saj u realizua falja e vetëm 73 milionë dollarëve. Më i suksesshëm rezultoi të ishte rivlerësimi, i cili shqyrtoi kërkesat e 34 mijë individëve, ku totali i aseteve që përfituan kapi vlerën e 1.65 miliardë dollarëve. 

 

Në vitin 2017, këtë herë përmes propozimit të qeverisë socialiste, Ministria e Financave mori një nisëm të ngjashme. Ligji për faljen dhe fshirjeve e detyrimeve tatimore e doganore fshiu çdo lloj detyrimi deri në fund të dhjetorit 2011. Borxhi në administratën tatimore kishte arritur në 1.78 miliardë euro, nga ku 500 milionë u falën për detyrimet tatimore me përfitues 13.600 subjekte, nga të cilët gjysma e tyre rezultonin aktive. Vetëm për 10 kompani të mëdha zinin 27% të vlerës totale të borxhit tatimor. 

 

Konstatohet se gjatë realizimit të amnistisë fiskale, janë fshirë nga regjistrat e borxhit pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, detyrimet e akcizës për 49 tatim pagues me vlerë 12.3 miliardë lekë, prej të cilave vetëm ARMO në vlerë rreth 10.7 miliardë lekë”, thuhet në një raport të Kontrollit të Lartë të Shtetit, transmeton emisioni “Kronos” në MCN TV.

 

Po kush përfitoi nga kjo falje?

 

Nga qindra miliona euro që u falën, 220 milionë zotëroheshin nga 50 kompani të mëdha, mes tyre Bankers Petrolium, ARMO, “Belle Air”, Deveron Oil, kompani bastesh e kompani ndërtimi. 

 

Sot fshirja detyrimeve tatimore ka të njëjtat qëllime. 

 

Po bëhet falje dhe përfituesit nuk dihen, dhe pse në fakt borxhi më i madh zotërohet nga kompanitë e mëdha. 

 

Ndryshe nga viti 2017, kur Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve dhe ajo e Doganave dërgoi në Komisionin e Ekonomisë listën me përfituesit nga falja e taksa, këtë herë emrat po mbahen sekret!

 

A mund të mbahen të fshehtë përfituesit në emër të privatësisë dhe sekretit tregtar? Subjektet që po përfitojnë nga ligji i faljes janë përfitues të fondeve publike që do t’i mungojnë buxhetit, e që duhet të shkonin për qytetarët. Në çdo vend demokratik standardi ligjor detyron institucionet që të publikojë përfituesit e fondeve publike. 

 

Sipas projektligjit të miratuar në parim nga Kuvendi, janë në total 202 mijë tatimpagues debitorë me një vlerë borxhi 1.6 miliard euro në tatime- nga këta 81 mijë tatimpagues, ose 40% janë aktivë dhe kanë detyrime për një shumë prej 400 milion euro. Borxhet më të mëdha janë ato me afat 5 deri në 10 vjet, që përbëjnë një total prej 750 milion euro. Të tjerat ndahen në 0 deri në 5 vjet që kanë një vlerë 570 milion euro dhe 300 milionë euro janë detyrimet mbi 10 vjet. 

 

Detyrimet në dogana kapin vlerën e 480 milion eurove, ku 130 milion janë detyrime në taksa dhe pjesa tjetër gjoba dhe kamatëvonesa. Shumicën e zënë detyrimet mbi 10 vjet me 257 milion euro, 180 milion euro janë ato 10 deri në 5 vite dhe 45 milion euro për detyrimet me moshë deri në 5 vjet. 

 

Nisma për faljen e detyrimeve dhe paqen fiskale pikësëpari po bëhet në mungesë transparence dhe analize: këto janë dy shtyllat e një vendi demokratik. Kuvendi që është institucioni kryesor i republikës po miraton sot një nisëm pa e ditur se cilët janë përfituesit nga kjo nisëm: emrat e bizneseve që përfitojnë! Kush përfiton më shumë dhe kush më pak? Në këtë pikë ka regres dhe me standardin e mbajtur në vitin 2017. 

 

Nisma nuk përfshin faljen e detyrimeve për sigurimet shoqërore e shëndetësore. Për çdo taksë tjetër kush daton përpara vitit 2014 përfiton fshirje totale 100%. Nga janari 2015 deri në dhjetor të vitit 2019 fshihet gjysma e detyrimit nëse paguhet brenda qershorit të vitit të ardhshëm ose 25% e tij nëse paguhet shuma deri në dhjetor 2026. Penalitetet dhe kamatat falen. 

 

Për detyrimet nga data 1 janar 2020 deri më 31 dhjetor 2024, fshirja e gjobave dhe kamatëvonesave është e kushtëzuar me pagesën e plotë të detyrimit brenda vitit 2026. 

 

Për tolerancën e treguar në për të mos mbledhur detyrimin tatimor nuk është bërë asnjë analizë nga institucionet publike. 

 

Një tjetër nisëm e Paketës Fiskale të depozituar në Kuvend është dhe “Marrëveshja për paqen fiskale”. 

 

Synohet që përgjatë 3 viteve të ardhshme të rritet fitimi i tatueshëm deri në 18% dhe të rideklarohen pasqyrat financiare, ku çdo rritje për efekt tatami të ketë një barrë tatimore prej 5%. 

 

Çdo kompani e madhe lejohet që të ndryshojë pasqyrat financiare për 3 vitet e fundit, në mënyrë arbitrare, pa dhënë shpjegime.

 

Këto firma nëse nënshkruajnë një marrëveshje me administratën tatimore ku pranojnë një rritje normale të fitimit deri në 18%, detyrohet që çdo fitim pas kësaj rritje ta paguajnë me vetëm 5%.

 

Marrëveshja ka fuqi për 3 vite tatimore përpara 2026-s kur hyn në fuqi dhe 2 vjet të tjera pas saj. 

 

Një projektligj i ngjashëm i vitit 2022 që u frenua nga partnerët e huaj, projektonte normë tatimi 5% për çdo para “cash” që deklarohej, nga individët ose bizneset. 

 

Sot ndryshimi i vetëm është që rritja e deklarimit të parasë “cash” nuk përfshin individët por vetëm bizneset e mëdha: persona fizikë apo juridikë. 

 

Një tjetër aspekt i ligjit për Paqen Fiskale është lejimi për të korrigjuar shpenzimet, të ardhurat dhe aktivet e kompanisë me 30% rritje ose ulje, për çdo vit të lejuar në periudhën e 3 viteve të shkuara. Dhe për këto korrigjime nga lindja e detyrimit tatimor do të aplikohet normë tatimore 5%.

 

Bizneset të cilat kanë nënshkruar këtë marrëveshje nuk do të jenë as subjekt i kontrolleve tatimore nga administrate. 

 

Si në projektligjin e paqes fiskale dhe në atë të faljes së detyrimeve tatimore dhe doganore, mungon transparenca dhe llogaridhënia. Praktikisht, Shqipëria ka marrë nisëm për një amnisti fiskale dhe i lejon bizneseve që të deklarojnë të ardhura që ia kanë fshehur shtetit, pa ditur burimin e tyre nëse janë para të pista apo evazion fiskal dhe pikërisht shkelësve, iu ofron një normë tatimore më e mirë se taksapaguesve të ndershëm. 

 

Për tatimpaguesit e rregullt tatimi është 15%, ndërsa për shkelësit vetëm 5%. Por nuk mjafton me kaq, për disa kategori biznesesh (ndërtuesit) krijohet mundësia që në zërin e aktiveve të deklarohen shitje në vitet e mëparshme për të ardhura që do të arkëtohen vitet e ardhshme duke i lejuar që të kenë normë tatimore favorizuese!

 

Rezervat i shprehu dhe misioni i Fondit Monetar Ndërkombëtar gjatë vizitës në Tiranë.

 

Marrëveshja e propozuar e ‘Paqes Fiskale’, me elemente të tilla si marrëveshje vullnetare për përcaktimin 3 paraprak të fitimeve të tatueshme dhe pezullim të auditimeve gjatë periudhës së marrëveshjes, fshirje të detyrimeve tatimore e doganore dhe rivlerësim të pasqyrave financiare të së kaluarës me një normë të ulët të njëtrajtshme, rrezikon të minojë pajtueshmërinë tatimore, të dobësojë besueshmërinë e auditimeve dhe të përmbysë arritjet e deritanishme në modernizimin e administratës tatimore”, tha FMN.

 

Në projektligjin për Paqen Fiskale dhe fshirjen e detyrimeve tatimore është vendosur që vetëm subjektet që janë të dënuara ose nën hetim për vepra në fushën tatimore nuk mund të përfitojnë nga falja e detyrimeve apo marrëveshja e paqes fiskale. Ligji nuk pengon që pronarët përfitues që kanë themeluar kompani të tjera, apo ndërmarrje që kanë nën hetim pronarët dhe administratorët të përfitojnë. 

 

Ligjet përjashtojnë po ashtu dhe subjektet që realizojnë projekte koncesionare. Këtu lind një tjetër pyetje: firmat që kanë kontrata koncesionare ngrenë një shoqëri të veçantë për projektin, po pronarët e tyre që kanë kompani të tjera a janë përfitues?

 

Në ndryshim nga nisma të mëparshme, ligji nuk lejon që përfitues të jenë individët, por nuk përjashton personat fizikë me xhiro mbi 140 mijë euro në vit. 

 

Në këtë nisëm nuk ka kufizime për ndalimin e përfitimeve të rrethit familjar të zyrtarëve të lartë të cilët kanë kompani që janë subjekte përfituese të paqes fiskale.

 

Nuk dihet vlera e vërtetë që biznesi ka të padeklaruar, por mendohet që ajo të jetë në miliarda euro. Tentativa për të nisur në një vit zero dhe për të formalizuar paranë gri që ka ekonomia jonë nuk është arritur dot të realizohet, herë për shkak të mungesës së konsesusit politik, ku amnistia fiskale do të kërkonte dhe atë penale dhe ndryshimin e Kodit Penal që kushtëzohet nga 84 vota për tu miratuar dhe në rastet kur votat kanë qenë pro mazhorancës, frenimi është bërë nga partnerët e huaj.

 

Në vitin 2020 nisma për një amnisti të përgjithshme të kapitalit arriti të diskutohej në Komisione Parlamentare dhe të arrinte dhe seancën e votimit në Kuvend. Projektligji u tërhoq nga rendi i ditës në moment të fundit. 

 

Në një letër dërguar qeverisë shqiptare nga Komisioni Europian ngriheshin pikëpyetje nëse ligji kundër pastrimit të parave do të funksiononte apo jo gjatë periudhës së amnistisë dhe nëse do të funksiononte, si do të funksiononte. Projektligji parashikonte që subjektet e ligjit antimafia si dhe politikanë aktualë nuk mund të përfitonin, por nuk shpjegonte se si do të funksiononte kontrolli për të parë nëse paratë e prezantuara si të fituara në evazion fiskal nuk janë në fakt para të fituara në trafikun e drogës apo produkt i korrupsionit politik.

 

Pas kësaj Komisioni i Ekonomisë dhe Financave dha këtë deklaratë:

Në dakordësi edhe me Ministrinë e Financave dhe Ministrinë e Drejtësisë, për të arritur një konsensus të plotë politik, me grupet e interesit dhe faktorin ndërkombëtar, komisioni vendosi në unanimitet të vijojë me shqyrtimin nen për nen të projektligjit “Për amnistinë fiskale dhe penale për subjektet që bëjnë deklarim vullnetar të pasurive” në sezonin parlamentar të ardhshëm.”

 

Hera e dytë që qeveria Rama tentoi të realizonte amnistinë fiskale ishte viti 2022. 

 

Nisma synonte të legalizonte pasuritë e individëve që jetonin në Shqipëri dhe emigrantë për shuma që kishin një kufi jo më të lartë se 2 milion euro. Norma tatimore shkallëzohej në 5, 7 dhe 10% në varësi të kohës së shpejtë kur bëhej deklarimi. Në përfundim administrata tatimore do të lëshonte një certifikatë ku do të ishin legalizuar paratë ose asetet në pasuri të patundshme ose të tjera për vlerën e deklaruar. 

 

Kundërshtitë nga komuniteti i huaj i biznesit ishin të mëdha. Dhoma Amerikane e Tregtisë doli kundër.

 

Por Kryeminsitri Edi Rama dukej i vendosur.

 

Në fund ligji nuk u miratua asnjëherë për tu shtyrë në një moment të dytë. 

 

Sot, mazhoranca socialiste ka votat në Kuvend për të dhënë falje penale, por në marrëveshjen e paqes fiskale nuk jepet amnisti për veprat e evazionit fiskal, korrupsionit dhe pastrimit të parave. Pikëpyetja që lind është, a kanë të drejtë të përfitojnë faljen e këtyre shkeljeve bizneset që kanë përfituar nga ligji dhe marrëveshja e lidhur me shtetin për të mos u kontrolluar dhe audituar bilancet e tyre?

 

Po faktori ndërkombëtar përse po hesht këtë herë?

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy