Më 19 Janar të këtij viti kryetarja e Bashkisë së Lushnjës, Eriselda Sefa ka bërë një postim në rrjetin social Facebook lidhur me rrugën e re “Sabri Kosturi”, ku siç ajo thotë kjo rrugë e ka transformuar të gjithë zonën. Sipas saj tani është e rëndësishme ta mirëmbajmë, ta pastrojmë dhe gjelbërojmë.
Banorët e kësaj zone thanë për mikrofonin e “Xhadave” se rruga është ndërtuar një vit më parë dhe se trotuaret janë të ngushtë, duke i detyruar të kalojnë në rrugën e makinave.
Në 80 % të gjerësisë së trotuarit anës rrugës Sabri Kosturi janë mbjellë pemë të ndryshme, ku dominon ulliri.
Menjëherë pas denoncimit të banorëve, “Xhadat” ju drejtuan Bashkisë së Lushnjes, ku takuan drejtoren e urbanistikës.
Në përgjigje të saj ajo tha se nuk ishte në dijeni për shqetësimin e banorëve duke shtuar se problematikën do e marrin nën shqyrtim për ta ndjekur.
Ajo theksoi se kjo rrugë është kryer nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit edhe pse Kryebashkiakja nuk ka humbur rastin ta reklamojë si investim në prag fushate.



