
John Bolton, këshilltari i ri i presidentit Trump për sigurinë kombëtare, ka qenë kreu i një organizate jofitimprurëse që “nxit lajme të rreme anti-myslimane, disa prej të cilave u përforcuan nga rusët”, thuhet në një raportim të NBC-së. Gatestone Institute, një grup me bazë në Nju-Jork, punësonte autorë të cilët u shfaqën në mediat ruse shtetërore, përfshirë Sputnik dhe RT News, duke kritikuar udhëheqësit kryesorë evropianë si Presidenti francez Emmanuel Macron.
Bolton ishte kryetar i këtij grupi nga viti 2013 deri muajin e kaluar dhe gjatë kësaj kohe, grupi paralajmëroi për “mbizotërimin xhihadist” në Europë.
Grupi publikoi shumë shkrime dhe tituj me tema të ngjashme në faqen e tij. “Gjermania konfikson shtëpi për t’i përdorur për emigrantët”, shkruante në maj 2017 kjo faqe. Në një tjetër shkrim në vitin 2015, thuhej se emigrantët somalezë në Suedi po e kthenin atë në kryeqytetin e përdhunimeve në Perëndim.
“Gatestone luajti një rol kyç në industrinë islamofobe të krijuar në internet”, thotë Ibrahim Hooper, zëdhënës i Këshillit për Marrëdhëniet Amerikano-Islamike, një grup që mbron të drejtat civile.
Hooper shton se lidhja e Boltonit me Gatestone dhe pozicioni i tij i tanishëm, një nga më të rëndësishmit në planet, është një gjë tepër shqetësuese.



