
Kryeministri Edi Rama dhe Presidenti Ilir Meta kanë ndarë mesazhet e tyre të urimit me rastin e festës së mësuesit.
Kreu i qeverisë ndan një video me mesazhet e mësuesve dhe shkruan, “Me urimin për të gjithë mësuesit e mësueset në ditën e tyre të shënuar, ju uroj të gjithëve një javë të mbarë”.
Nga ana e tij Presidenti Ilir Meta, ka ndarë një fotografi të mësonjëtores së parë shqipe për të përcjellë urimin e tij.
“Gëzuar 7 Marsin për të gjithë mësuesit, pedagogët dhe profesorët shqiptarë! Mirënjohje veprës tuaj të ndritur dhe suksese në misionin fisnik të përçimit të dijes, vlerave qytetare dhe kombëtare”.
Edhe kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi, shkruan se ndër shekuj, arsimtarët e vendit kanë afruar kombin tonë me dritën e dijes, duke promovuar ndërkohë vlerat më të mira, e duke nxitur një botëkuptim europian e perëndimor për brezin e ri.
“Gëzuar Ditën e Mësuesit Shqipëri! Përulemi sot me mirënjohje ndaj të gjithëve, atyre që janë sot në krye të misionit, si edhe ndaj atyre që janë në pension. Kontributi juaj mbetet i përjetshëm për Shqipërinë tonë! Dita e Mësuesit, duhet të na kujtojë se ndërsa ata janë aseti më i vyer për përgatitjen e fëmijëve dhe rinisë tonë për të ardhmen, politika dhe shoqëria duhet të bëjë më tepër për mësuesit, mësueset dhe çdo arsimtar, që sot meritojnë paga më të larta, kushte më të mira pune dhe status më të lartë në shoqëri.”



