Afati zyrtar për procesin e votimit për kryetarin e PD ka përfunduar në orën 19:00, megjithatë kreu i komisionit zgjedhor, Emin Gjana, tha se ka qendra në të cilat votohet ende. Ai tha se deri në orën 17:00 kanë marrë pjesë në votim 13 700 anëtarë të PD. “Nga të dhënat që kemi deri tani ka pasur fluks jo të vogël votuesish që janë futur në lista të veçanta. Kanë votuar me kartë identiteti. Nuk kam të dhëna për votues që kanë insistuar por nuk kanë arritur të votojnë. Karta e identitetit është përdorur vetëm për ata që e kanë emrin në listë. Karta e anëtarësisë u është kërkuar të gjithëatyre që nuk kanë pasur emrin në listë. Votimi vazhdon sepse ka interes nga votuesit. I gjithë procesi është bazuar në regjistrin elektronik të vitit 2022”, tha Gjana. 25 mijë anëtarë të PD janë thirrur të votojnë. Në garë me Lulzim Bashën është kandidati Gjergji Hani.



