
Një ditë pas provimit të të Matematikës, maturantët kanë protestuar mesditën e sotme përpara Ministrisë së Arsimit me pretekstin se teza e provimit ishte shumë e vështirë.
Lidhur me këtë, ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë Znj. Evis Kushi ka reaguar përmes rrjetit social duke dhënë mbështetjen ndaj maturantëve që kanë protestuar mbi shqetësimin e tyre për testin e matematikës.
Kushi shprehet se grupet e ekspertëve janë duke vlerësuar nivelin e vështirësisë së çdo pyetjeje në testin e matematikës.
Të dashur maturantë. Siç ju kemi premtuar, ne do të jemi gjithmonë në mbështetjen tuaj. Në këto momente, jemi duke vlerësuar edhe një herë me grupet e ekspertëve nivelin e vështirësisë së çdo pyetjeje në testin e matematikës. Dhe në rast se na rezulton që ai e tejkalon nivelin e parashikuar, të cilin e kushtëzon mënyra e zhvillimit të mësimit gjatë këtij viti shkollor, pa dyshim që ne do ta rishikojmë shpërndarjen e pikëve në test dhe mënyrën e vlerësimit. Ju uroj shumë suksese për provimin e radhës!



