Teatri Kombëtar është sërish tema e një tryeze diskutimi. Kryebashkiaku Erion Veliaj thirri sot një dëgjesë me arkitektët dhe urbanistët në lidhje me Teatrin Kombëtar. Veliaj e cilësoi diskutimin hapje negociatash mes bashkisë, institucioneve të tjera dhe komunitetit të artistëve.
“Siç e kërkon legjislacioni shqiptar, siç ka ndodhur me aeroportin, me Piramidën, Parlamentin dhe të tjerat, ligji kërkon që një procedurë e vecantë të caktojë një palë negociatore që ta shqyrtojë këtë kërkesë dhe të japë një mendim. Kështu që këtu nuk bëhet fjalë për të vendosur për projektin, apo për të prishur teatrin. Këtu bëhet fjalë për të folur dhe për të hapur një negociatë ku bashkia, me institucionet e tjera dhe komunitetin e artistëve të jetë pala që e merr në shqyrtim. Pra sot jemi në këtë faze”, tha ai.
Veliajtha se pas dëgjesës së javës së shkuar me komunitetin e artistëve janë ulur tonet. “Ne kemi pasur një komunikim shumë intensiv dhe pas dëgjesës më vjen mirë që konstatoj disa gjëra. Së pari që kemi ulur tonet dhe të arrijmë të kuptojmë që kjo tavolinë dhe tavolina e para tre ditësh përfaqëson ajkën e këtij qyteti.Ajo që zbulova nga dëgjesa është që kishte shumë më shumë konsensus sesa e mendoja. Mbizotëron ideja që patjetër duhet të kemi një teatër të ri, por si do ta kemi dhe në çfarë parametrash. Këto janë detaje që janë pjesë e një negocimi”, tha ai.
Megjithatë, duke mbrojtur idenë e ndërtimit të një teatri të ri, tha se në vende të tjera të botës, ndërtesa të ngjashme kanë pasur kosto tepër të madhe.
“Ne bëmë një kërkim se sa kërkonte një rikonstruksion i veprave të ngjashme. Kostoja ka qenë prohibitive, po për një ndërtesë që është 90% e degraduar, si mund të jetë?”, tha ai.



