Largimi nga detyra e kreut të SHISH-it nuk ishte ishte me dëshirë, por i imponuar nga nivele të larta të politikës. Visho Ajazi Lika ka mbledhur dje bashkëpunëtorët e tij përpara zyrtarizimit të largimit nga detyra.
Në mbledhjen e zhvilluar në SHISH, ku të panishëm kanë qenë disa nga drejtorët më të rëndësishëm të institucionit, Visho Ajazi, pasi u ka komunikuar largimin e tij nga detyra, ndër të tjera ka thënë se, ky nuk ishte vendim i tij.
Ai ka lënë të kuptohet se vendimi për largimin e tij nga kjo detyrë, ishte marrë në nivele të larta politike, raporton “Mapo”.
Por përtej spekullimeve dhe skenarëve, bashkëpunëtorët e ngushtë të Visho Ajazit, e kanë të qartë arsyen e largimit nga detyra të shefit të tyre.
SHISH-i, ishte institucioni i vetëm që ka dërguar informacione dhe raporte në Prokurori për grupin e Habilajve. Raporti i parë me të dhëna, emra, lëvizje konkrete, dhe veprimtarinë që kryente ky grup, i është dorëzuar Prokurorisë së Krimeve të Rënda, në verën e vitit 2016.
Mbi bazën e këtyre informacioneve, Prokuroria regjistroi një procedim penal ndaj të dyshuarve, i cili u pasua nga një tjetër hetim në prill të vitit 2017, një muaj pas largimit nga detyra të ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri.
Policia e gjendur nën presionin e mungesës së informacionit, nxitoi të deklaronte se referimin për këtë çështje, e kishte dërguar ajo në prokurori. Por e vërteta është krejt ndryshe.
SHISH dërgon një tjetër raport për Habilajt, i cili i shkon paralelisht Prokurorisë së Krimeve të Rënda dhe Policisë së Vlorës. Kjo e fundit, të njëjtat informacione i përcjell në prokurori si kallëzim penal ndaj të dyshuarve. Nisur nga këto të dhëna, bashkëpuntorët e Ajazit janë të bindur se, shefi i tyre u bë “kurban” për Habilajt.



