Sadri Ramabaja, drejtor i Institutit për Gjeopolitikë në Kosovë, komentoi në edicionin e lajmeve në MCN TV letrën e politikanëve perëndimorë drejtuar BE-së dhe SHBA-ve, ku kërkohet një qasje më e ashpër ndaj Serbisë. Ramabaja theksoi se letra vjen në momentin e duhur dhe i drejtohet një “lagjeje diplomatësh” me në krye Borrell-in që e solli situatën në pragun e një fronti të dytë lufte.
Ramabaja vuri po ashtu në dukje se diplomacia perëndimore s’mund të barazohet me Borrell-in, sikurse edhe dëshira e shqiptarëve s’mund të barazohet me qëndrimet e Ramës. Ai tha se shpreson që pas kësaj letre të ketë reflektim nga Tirana zyrtare për të bashkërenduar qëndrimet me Prishtinën për interesat kombëtare.
Ishte një letër që flet shumë për ndërgjegjen e zgjuar të diplomacisë perëndimore. Përballje e ndërgjegjes europiane, civilizimit perëndimor, me një pjesë të diplomacisë perëndimore që solli situatën që kemi sot në Ballkan, e që rrezikonte të toleronte frontin e dytë të luftës në Europë. Është përcjellë situata me seriozitetin më të madh. Përmbajtja e letrës dëshmon se diplomatët më të shquar të SHBA-ve, Gjermanisë, që ishin iniciatorë, por edhe shteteve të tjera mike, për fat të keq në letër mungon Shqipëria, kanë shprehur një lloj pezmi ndaj kësaj lagjeje diplomatësh me në krye Borrell-in, që solli situatën këtu ku jemi. Për fat të keq kryeministri i Tiranës ishte në këtë linjë, prandaj kjo letër është në kohën e duhur dhe flet për nevojën e rishikimit të këtij qëndrimi përgjithësisht ndaj Serbisë. Unë kam dëshirë të besoj se diplomacia perëndimore nuk mund të barazohet me Borrell-in. Por edhe vullneti dhe dëshira e shtetasve shqiptarë, e Republikës së Shqipërisë, nuk mund të barazohet me qëndrimin e kryeministrit shqiptar. Prandaj kam dëshirë t’i cilësoj si një lagjeje, pak a shumë e të zvetënuar nga ndërgjegjja politike, mungesa e një axhende politike për të dalë nga kjo situatë ku na futi Serbia dhe trysnia e gabuar ndaj Prishtinës”.
I pyetur, a do të ndryshojë Brukseli Lajçak-un dhe Escobar-in nga pozicionet e tyre, Ramabaja tha: “Do duhej të bëhej më herët, BE ka vepruar në shpërputhje me interesat e BE. Pretendimi për të shpërblyer Serbinë me Veriun e Kosovës ishte një hap tejet i gabuar, që mund të na shkaktonte një përplasje të re në Ballkan”.
Rambaja u shpreh se letra është një thirrje për nevojën urgjente të ndryshimit të qëndrimit të BE dhe SHBA-ve ndaj Beogradit.
Thirrja që publikohet përmes kësaj letre bën të qartë që kemi nevojë urgjente për ndryshimin e plotë të qëndrimit të SHBA dhe BE ndaj Serbisë. Serbia mbetet vasale e Rusisë, dhe Vuçiçi pinjoll i politikave ruse në Ballkan. Do të marrë fund loja përmes të ashtuquajturit projekt Ballkanit të Hapur, që është një projekt ruso-serb dhe doli si i tillë, për fat të mirë u tërhoq kryeministri i Shqipërisë në minutat e fundit. Besoj që pas kësaj letre do reflektohet dhe duhet të shohë më qartësisht se nga duhet të rreshtohet edhe Tirana zyrtare, dhe pse do të duhet që në ditët në vijim, në javët e ardhshme duhet një bashkërendim në përputhje me interesat nacionale. Ballkanin e Hapur, pavarësisht se Rama e ka shpallur të vdekur, për mbajtjen e saj të gjallë ka këmbëngulje nga pala serbe dhe një heshtje morbide të Maqedonisë së Veriut. Turi në vendet e Ballkanit do kishte kuptim nëse dy vendet tona do unifikonin qëndrimet. Letrat e diplomatëve të shquar, flet se qëndrimi i qeverisë së Kosovës dhe kryeministrit që e përfaqëson ka qenë krejtësisht i drejtë dhe të gjithë ata që e kanë sulmuar për rezistencën në raport me Veriun e Kosovës, dhe të gjithë ata që e kanë kritikuar i japin të drejtë, që qëndrimi i tij ka qenë në përputhje jo vetëm me interesat kombëtare por edhe të Perëndimit. Opozita në Prishtinë është e humbur, nuk ka çfarë humb shumë. Zgjedhjet mund të mos mbahen në shtator, por ato janë si hap për shtensionimin e situatës në Veri”.



