Në Maqedoninë e Veriut, fushatës zgjedhore i ka ardhur fundi. Partitë politike dhe koalicionet pas 20 ditëve përmbyllin sot fushatën e zgjedhjeve të parakohshme të 15 korrikut.
Për shkak të pandemisë, votimet do të zhvillohen përgjatë tre ditëve.
Më 13 korrik votojnë të prekurit nga Covid-19, 14 korrik votojnë të sëmurët e tjerë, të burgosurit dhe të moshuarit, ndërsa më 15 korrik zhvillohen votimet e përgjithshme, ku mbi 1.8 milion votues do të zgjedhin 120 deputetë.
Siç raporton INA, LSDM me koalicionin “Mundemi” e mbyll fushatën në Manastir. VMRO-DPMNE me koalicionin e saj do ta mbyllë fushatën në Shtip.
Bashkimi Demokratik për Integrim do ta mbyllë fushatën me një konferencë me gazetarët para Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, ku do të flasin kreu i kësaj partie, Ali Ahmeti dhe kandidati për kryeministër, Naser Zyberi.
Koalicioni Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa fushatën e saj do ta mbyllë sonte me mitingun para Qeverisë së Maqedonisë së Veriut.
Partia Demokratike Shqiptare do ta mbyllë fushatën e saj sonte në sheshin e Tetovës.



