
Komisioni Europian mund të ndërmarrë masa ligjore kundër Rumanisë në lidhje me sistemin e saj gjyqësor. Kjo do të ndodhë nëse Rumania nuk ndryshon masat që dëmtojnë pavarësinë e gjyqësorit dhe luftën kundër korrupsionit.
Komisioni ekzekutiv, i cili është garant i traktateve të BE, ka thënë në mënyrë të përsëritur se ligjet e paraqitura nga social-demokratët rumunë në qeveri kanë përmbysur dekada reformash.
Një zëdhënës i Komisionit tha se paralajmërimi i është dërguar qeverisë së Bukureshtit të premten e kaluar në një letër nga nënkryetari i parë i Komisionit, Frans Timmermans.
"Shqetësimet kryesore lidhen me zhvillimet që pengojnë pavarësinë e gjyqësorit dhe luftën efektive kundër korrupsionit, duke përfshirë mbrojtjen e interesave financiare të BE-së dhe në veçanti të amendamenteve të miratuara kohët e fundit në kodin penal, që i hapin rrugë mosndëshkimit de facto për krimet", tha zëdhënësi Margaritis Schinas tha në një konferencë për shtyp.
Komisioni tashmë i ka vënë Hungarinë dhe Poloninë nën një hetim të posaçëm për sundimin e ligjit, i cili në teori mund të çojë në pezullimin e të drejtave të tyre të votimit në BE, mbi masat për të vënë gjykatat e tyre, mediat, institucionet akademike dhe grupet e avokimit nën kontroll të rreptë shtetëror .
Komisioni gjithashtu ka paditur Poloninë në gjykatën më të lartë të BE-së lidhur me ndryshimet në gjyqësor, të cilat i japin partisë në pushtet kontroll substancial mbi gjykatat.
Schinas tha se veprime të ngjashme do të ndërmerren kundër Bukureshtit, nëse nuk adresohen kundërshtimet e BE-së.
Rumania po përpiqet të bëhet anëtare e zonës Schengen, por Schinas sinjalizoi se kjo nuk mund të ndodhë nëse Bukureshti injoron shqetësimet e ngritura nga BE-ja për sundimin e ligjit.
Një diplomat i lartë i BE, duke folur në kushte anonimati, tha se dënimet me të cilat mund të përballet Rumania mund të përfshijnë humbjen e fondeve të BE.



