
Në Shqipëri, Aruba ishte thuajse e panjohur nga publiku dhe shumica e njerëzve, deri sa Belgjika hapi një proces të quajtur “Shqiponja e zezë” ndaj narkotrafikantëve shqiptarë. Për këtë gjyq që mbahej në Europë do të shkruhej si fillim në një libër të një gazetari investigativ italian.
Pak e nga pak, media në Shqipëri dhe më pas politika do t’i kushtonin vëmendje, aq sa sot mbetet kryefjala e ditës.
Rruga më e afërt për të shkuar në ishullin ekzotik të luksit nga Tirana është me avion për 17 orë e 25 min.
E në këtë vend prania e shqiptarëve mund të jetë e pakët në numër, por e përzgjedhur nga të dyshuarit e dosjes Aruba për të cilët SPAK, Prokuroria e Posaçme, ka nxjerrë 20 masa sigurie.
Disa prej tyre të ekzekutuara dhe të tjera dërguar nga Interpol pasi personazhet e Arubës vijojnë ende të jenë në arrati.
Kjo dosje me afro 1000 faqe vetëm masa sigurie, ka një volum të madh si fashikull ndërsa nuk mungojnë në të përmendja e emrave nga kryeministri Edi Rama e deri tek ish-vartës të tij, politikanë dhe biznesmenë të rëndësishëm të vendit.
Gjithçka daton 5 deri në 6 vite më parë, kohë në të cilën komunikimet e përditshme me zë, foto video dhe mesazhe, bosët e nëntokës ia kishin besuar telefonit të enkriptuar SkyEcc.
E teksa lexon këto faqe, kupton se Shqipëria më tepër se sa një vend normal me ligj e rregulla funksiononte në ato vite si “shteti” i Arubës se sa si shteti me një qeveri të zgjedhur dhe kuadër ligjor strikt.



