Prej disa orësh, Elbasani po përballet me një situatë të rënduar nga zjarret. Në pak orë, disa vatra zjarri kanë përfshirë ullishten në pjesën veriperëndimore, pyllin me pisha në verilindje, një vatër pranë fshatit Samurr dhe landfillin. Të gjithë ekipet e zjarrfikëseve të Elbasanit së bashku me mjetet, zjarrfikëset nga i gjithë qarku, emergjencat civile dhe vullnetarë po luftojnë me flakët.
Mësohet se është vënë nën kontroll zjarri në verilindje pranë fshatit Mengël, ndërsa helikopterët e ushtrisë vazhdojnë të punojnë për vënien nën kontroll të zjarrit në ullishten pranë fshatit Balëz. Temperaturat mbi 40 gradë sot në Elbasan dhe era e fortë favorizojnë flakët duke vështirësuar punën e ekipeve të zjarrfikëseve.
E gjithë forca është përqëndruar për vënien nën kontroll të zjarrit në landfill, ku përveç qarkut po na vijnë në ndihmë edhe ekipet e Tiranës, Kamzës e Beratit.



