
Forca të Policisë së Shtetit kanë qenë sot në kampin e Manzës ku strehohen muxhahedinët iranianë. Sipas pretendimeve të palës iraniane ka patur tensione dhe madje edhe një person të vrarë. Ky fakt pretendohet nga zëdhënësi i MEK, i cili pohon se viktimë ka ngelur një banor i kampit ASHRAF, por burime nga policia për MCN bëjnë me dije se nuk ka as të vrarë dhe as të plagosur. Burimet thonë se FNSH e Shqiponjat kanë hyrë për kontrolle dhe kanë kërkuar që të shtrihen barkas, pasi pretendohet për një aktivitet terrorist. Mësohet se nuk ka asnjë urdhër arrest dhe se dyshimet për viktimë janë një pretendim i MEK, por verifikimet e Spak dhe policia që po kryejnë kontrollet e mohojnë. Kujtojmë se policia ka zhvilluar një operacion ku po ushtrohen kontrolle të imtësishme në pajisje elektronike si kompjutera, telefonë, dronë, etj. Edhe më herët ka patur bastisje për ish anëtarë të MEK që janë larguar nga kampi. Përmes një njoftimi për shtyp policia e shtetit informon se kontrollet bëhen në kuadër të një plani operacional në zbatim të urdhër-kontrolleve të nxjerra nga Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.



