Andrologu Marsid Sinani për impotencën dhe infertilitetin tek meshkujt kërkon që qysh në moshë të re të bëhet një kontroll tek mjeku.
Nga studio e “Zgjohu me MCN” ai tha se infertiliteti në çift është rritur ndjeshëm vitet e fundit, por nuk duhet fajësuar vetëm femra.
Aktualisht 50% shkaktar është mashkulli dhe 50% femra. Ndikon stresi, regjimi ushqimor, mbingarkesa e ushqimeve me kimikate që ndikon në sistemin endokrin. Jeta sedentare, tek meshkujt ndikojnë temperaturat e larta, veshjet e ngushta që prishin procesin e spermatogjenezës. Përdorimi i drogave të ndryshme që ulin cilësinë e spermës, ulje të numrit dhe spermatogjenezës.
Njerëzit janë më të lodhur, stresuar, bie niveli i testosteronit. Stimulimi pornografisë bën që pritshmëritë të jenë më të larta, gjë që shkakton probleme erektile. Kontakti i parë duhet të jetë gjithmonë mjeku, i cili do vendosë diagnozën, do kërkojë teste laboratorike dhe më pas shkohet te farmacisti. Janë të shtuara rastet kur shkohet në farmaci direkt, pa u konsultuar me mjekun.
Në momentin që ti ke pranuar problemin, ke zgjidhur gjysmën e punës. Nëse nuk e pranon problemin, nuk pranon ekzaminimin dhe problemin tënd, nuk pranon të trajtohesh, nuk ndjek këshillat, ti nuk trajtohesh. Nuk mund të zgjidhet çdo gjë me një muaj, ndjekja është pak e gjatë. Kontrolli i fertilitetit duhet bërë që në moshë të re, për të ditur statusin prodhues, jam fertil apo jo. Se mund të jetë i shëndetshëm, por mund të kesh kaluar një traumë, një infeksion, që shkakton infertilitet.
Ndërsa farmacisti Gjergji Lushi deklaroi se jeta e natës, mungesa e gjumit ndikojnë në fertilitet.
Sa i takon problemeve me performancën seksuale, farmacisti tha se i kanë kërkuar ndihmë edhe djem 20-vjeçarë.
Jeta e natës ndikon shumë. Nëse nuk biem në orën 10.00 në gjumë, prishim rininë, plakemi, se ti nuk i jep trupit balancat e duhura. Duke ndenjur gjatë zgjuar rritet kortizoli, kthehet dita në natë dhe nata në ditë dhe prishen disbalancat hormonale dhe këtu prishet dhe shëndeti mendor. Njerëzit duhet të mësojnë të krijojnë një lidhje me personin që ke për partner.
Duhet ta duash dhe ta njohësh. Pornografia nuk duhet parë, sepse ti nuk mund të arrish atë që shikon. Se ajo është industri. Grupmosha më e madhe për impotencën janë mbi 50 vjeç. Por ka dhe të rinj të cilët vijnë dhe kërkojnë testosteron, por ne i drejtojmë për te mjeku. Edhe mosha 20-vjeçare më kanë kërkuar ndihmë.
Viagra dhe produktet e tjera duhet të kenë rekomandim vetëm nga mjeku. Në farmaci mund të jepet vetëm diçka natyrore. Ndërsa medikamentet nëse jepen pa rekomandim nga mjeku, mund të rezultojnë fatale. Unë si farmacist mund të ndihmojë me vitamina dhe elementë bimorë.



