Grupi parlamentar i PD kërkoi nga Presidenti kthimin e ligjeve të miratuara në Kuvend me pretendimin se nuk plotësojnë kuorumin e nevojshëm prej të paktën 71 votash. Analisti Ben Andoni duke folur në edicionin e lajmeve në MCN TV tha që lëshimi i dy komisioneve hetimore nga PS do bëjë që opozita të ulë armët, të justifikojë aksionin e deritanishëm në Parlament, dhe mazhoranca të justifikojë veten. Andoni tha që Presidentit i duhet të tregojë luajalitet me postin në lidhje me kërkesën e opozitës që të kthejë ligjet pa kuorum.
I pyetur a do të gjendet një zgjidhje pasi PS pritet të lëshojë dy komisione hetimore, Andoni tha:
Në fakt nuk i lëshon PS komisionet, por PS nuk po i pengon sepse Parlamenti ka detyrë të hapë udhë për çdo komision hetimor. Kini parasysh diçka për punën e një komisioni hetimor të mirë nuk mjafton një legjislaturë të tërë. Një pjesë e komisioneve janë jashtëzakonisht të drejta por një pjesë i mbivendoset akteve që po merret tani SPAK-u, inceneratorët, probleme të shëndetësisë. Duket që të dyja palët duan ta mbajnë vendin në këtë mënyrë, e para për të shmangur vëmendjen nga ato që i shqetësojnë vërtet shqiptarët dhe e dyta për të monopolizuar gjithçka brenda retorikës së tyre politike. Nëse do kishte marrëveshje të sinqertë, palët afrohen edhe me një lloj platforme, ose pak më përpara duke paralajmëruar, por këto takimet e kulisave gjithmonë lënë shenjë të keqe. Nga ana tjetër është gjë e mirë që opozita duket që do ulë armët, thënë në mënyrë metaforike, do marrë dy komisione, do justifikojë veten për gjithë mangësitë e mëdha që bëri në Parlament duke mos u përfaqësuar, ndërsa mazhoranca do justifikohet për të gjithë atë pengesë të madhe që i ka bërë opozitës dhe nga ana tjetër vazhdon e qetë fushatën zgjedhore. Por shenjat janë të mira në planin afatshkurtër që do dëgjojmë një debat normal në Parlament, dhe s’do shohim një Parlament që mbaron për 4-5 minuta. Presidentit i duhet një moment të tregojë një pjesë luajaliteti të paktën me postin e vet, dhe të mos perceptohet sërish si shtojcë e mazhorancës socialiste. Nuk duket se Presidenti e ka lexuar mirë situatën në këtë legjislaturë, kur dështoi të mbante fjalën në seancë, që kur nuk u mor vesh me kryetarët e grupeve parlamentare. Në këtë rast s’ka me çfarë të justifikohet, pasi faktet hedhin poshtë gjithçka. Z.Gjiknuri ia ka dalë në çdo lloj situate që të jetë sipër, edhe në reformën e kaluar zgjedhore ai s’pranohej as në tryezë, por jo vetëm u pranua por ishte faktor kryesor. Besoj që pak a shumë do ndodhë edhe tani. Ai ka qenë në SPAK dhe s’besoj do e kalojë kaq lehtë problemin që lidhet me investimet strategjike”.
Ben Andoni mendon se protagonizmi nga një pjesë e deputetëve të PD bëhet se kush do të jetë në listën e ligjvënësve të 2025-ës, ndonëse flitet në emër të demokracisë. Analisti shton që s’do jetë e largët dita kur të gjendet një modusi i bashkimit edhe m Lulzim Bashën.
Tani s’kanë më moral të akuzojnë PD-në legale që t’i thonë jeni të shitur te Rama. PD e ka si personazh me të cilin bën flirte vazhdimisht. Bashkimi do funksionojë nëse baza do funksionojë. Duke parë që Grupi i Rithemelimit s’ka asnjë plan të qartë për reformën zgjedhore, unë besoj se do e çojnë drejt dështimit, ose drejt harxhimit të afateve për të bërë riparime në fund fare. Por shenja e bashkimit të PD është e mirë. E vetmja gjë jo e mirë është që nuk nxjerrin mësime që deri tani kanë mbajtur një retorikë sikur ishin armiq me njëri-tjetrin, dhe tani jo vetëm janë bashkë, por mundohen të gjejnë si e si fjalë për të lehtësuar gjithçka. S’ka për të qenë e largët dita kur të gjendet një lloj modusi edhe me z.Basha, sepse kështu është politika jonë, shkon deri në zgrip dhe pastaj bashkohet pa asnjë sens morali. I gjithë protagonizmi i një pjese të PD më shumë bëhet për të qenë në listat e vitit 2025, duke folur në emër të demokracisë. Nuk është e largët dita kur z.Basha të ketë një rol protagonisti në gjithë këtë lëvizje të PD-së”.



