Avokati Besart Logu tha përmes një lidhje “Skype” me studion e MCN Live se protesta e thirrur mbrëmjen e kësaj të enjteje nga PD-ja zyrtare është partiake.
Sipas Logut, denoncimet për lejet e ndërtimit, mandati i Berishës dhe bashkimi i votave mes PS-së dhe PD-së për amnistinë penale të krijojnë dyshime se mund të jetë krijuar një shtrat për një marrëveshje Rama-Berisha.

Është një protestë partiake. Nuk është protestë qytetare ku njerëzit dalin dhe i bashkon një kauzë. Kjo nis dhe mbaron brenda murit rrethues të një partie politike. Nëse shohim eksponentët e lartë kanë artikuluar dy kërkesa, lirimin e Berishës dhe një qeveri teknike.
E para është kërkesë juridike dhe nuk ka lidhje me partinë politike, në rastin konkret i bie të jetë trysni e ushtruar ndaj SPAK që ka rritur besimin se kjo klasë politike edhe mund të rinovohet. Mund të qarkullojë kjo elitë që në opinion perceptohet si e korruptuar. Kërkesa për qeveri teknike është kërkesë që Rithemelimi i ka nxjerr bojën. Berisha dhe eksponentë të tij akuzonin Bashën se kishte marrëveshje me Ramën në lidhje me qeverinë teknike të 2017 pavarësisht se atëherë e përshëndeti. Sot vijnë në të njëjtën kërkesë dhe kushtet për të cilat u akuzuar Basha.
Çfarë garancie jep kjo parti politike, PD-ja zyrtare që nuk është në marrëveshje me Ramën. Duke pasur parasysh dhe denoncimet për lejet e ndërtimit, me mandatin e Berishës, në lidhje me bashkimin e votave për amnistinë penale, është ngritur një shtrat ku dyshohet se mund të ketë marrëveshje Berisha-Rama dhe kjo kërkesë i jep të drejtën gjithkujt të dyshojë.



