Një shtetas rumun me pasaportë moldave është arrestuar në kuadër të hetimeve për vrasjen e gazetares bullgare, Viktoria Marinova. Lajmin e ka bërë të ditur radioja shtetërore bullgare, e cila u referohet burimeve pranë Ministrisë së Brendshme, por saktëson se nuk ka ende një konfirmim zyrtar. Sipas kanalit televiziv btV, i arrestuari për vrasjen jetonte si i pastrehë.
30-vjeçarja Viktoria Marinova u gjet e vrarë të shtunën pranë bregut të lumit Danub, në qytetin Vuse.
Marinova dyshohet se fillimisht është përdhunuar, rrahur dhe pastaj është mbytur.
Dyshimet e para që u hodhën ishin ato për lidhjen e vrasjes me profesionin e Marinovës.
Shumica e sendeve të saj personale mungonin kur ajo u gjet e pajetë. Në lidhje me krimin nuk ka të dyshuar.
Mediat bullgare përmendën menjëherë faktin se Marinova kishte intervistuar së fundmi gazetarin investigativ rumun, Atila Biro, nga projekti Rise dhe kolegun bullgar, Dimitar Stojanov nga Bivol. Tema ishte arrestimi i fundit i dy gazetarëve nga policia pranë qytetit Radomir, në jug të Sofjes, ndërsa po hetonin shkatërrimin e dokumenteve që dyshohet se implikonin kompaninë e infrastrukturës GP Group në manipulimin e tenderëve të BE.



