E hëna e kësaj jave nisi me një bilanc të rënduar të viktimave me COVID 19. Pas raportimit për vdekjen e 71-vjeçarit nga Kuçova të dielën në darkë, sot në mëngjes u raportua edhe një i vdekur nga Kavaja, ndërsa një pacient nga Tirana ka pësuar vdekje klinike.
"Pacienti 61-vjeçar i raportuar nga spitali infektiv ka pësuar vdekje klinike, mjekët përpjekje të jashtëzakonshme për ta kthyer në jetë! Por gjendja mbetet tepër e rëndë", njofton M.SH.
Mjeku infeksionist, Pëllumb Pipero, duke folur për mediat tha se 61-vjeçari nga Tirana pësoi vdekje klinike.
"E rikthyem në jetë, por gjendja e tij vazhdon të jetë e rëndë".
Ndërsa, 43-vjeçari, i cili ishte vendosur në frymëmarrje të drejtuar për disa orë, pavarësisht përpjekjes së mjekëve, nuk ka mundur të mbijetojë.
Ai, përpos obezitetit nuk kishte sëmundje bashkëshoqëruese.
Ministria e Shëndetësisë në një reagim për mediat, "u shpreh ngushëllimet familjeve të të ndjerëve dhe apelon dhe një herë qytetarët të respektojnë me shumë rigorozitet rregullat e distancimit social dhe të telefonojnë 127 në rast se kanë shenja të sëmundjes".
Mbrëmë ndërroi jetë në spitalin Infektiv në QSUT një 71-vjeçar nga Kuçova i infektuar me koronavirus.
I trajtuar më herët në spitalin universitar “Shefqet Ndroqi”, prej 7 ditësh ai ishte shtruar në spitalin Infektiv pasi u infektua edhe me koronavirus, nuk bënte pjesë tek 4 pacientët që ishin në terapi intensive, por gjatë mbrëmjes pati një komplikacion të menjëhershëm kardiak arterial, që i mori jetën.
71-vjeçari sipas ministrisë së Shëndetësisë, vuante nga disa sëmundje shoqëruese, kanceri në mushkëri, në stad tejet të avancuar, diabeti mellitus, fibrilacioni arterial dhe hipertensioni.
Më 11 mars ndërroi jetë një 73-vjeçare nga Durrësi, ndërsa në 18 mars një 66-vjeçar nga Lushnja.
Ndërkohë, dje Shqipëria regjistroi numrin më të lartë të të prekurve me koronavirus gjatë 24 orëve, që nga dita ku u konfirmua pacienti 'zero', që u shërua bashkë me dy persona të tjerë, një prej të cilëve i ati i 28-vjeçarit.
40 pacientë të infektuar me COVID 19 ndodhen të shtruar te Spitali i Infektivit në Tiranë.
Pipero: Infektivi ka pacientë në gjendje të mirë shëndetësore, që shumë shpejt pritet të lënë spitalin, por ka edhe raste shumë të rënda që po mbahen në terapi intensive.
Nga 33 teste të kryera 24 orët e fundit, 13 raste u konfirmuan pozitiv dje duke e çuar në total në 89 të infektuar.
Ministria e Shëndetësisë bëri me dije se mosha mesatare e personave që kanë rezultuar pozitiv në Shqipëri është 48 vjeç, e ndërsa ajo e pacientëve të shtruar në spital, 54-vjeç. Për të parandaluar përhapjen vendi është në karantinë totale.



