Gazetarja Ola Xama foli në edicionin e lajmeve në MCN TV mbi draftin e ri për ligjin e mikrokredive. Ajo theksoi se duhet ndryshuar neni ku mund të çedohen apo shitet kredia pa vënë në dijeni kredimarrësit, si dhe duhen ndryshime në ligjin e përmbaruesit. Një tjetër pikë që duhet të rregullohet sipas gazetares është penaliteti, që në shumë rast ka qenë dy apo tre fish i detyrimit të një qytetari.
“Një nen është që mikrokreditë të çedojnë kredinë, pa vënë në dijeni kredimarrësit. Cedimi i kredive është shitje e kredisë. Shumë prej qytetarëve që u janë shitur kreditë, s’kanë marrë njoftimin nga bankat, që kredia juaj është shitur dhe detyrimet i kalojnë kompanisë X apo Y. Pika e dytë kërkon ndryshime në ligjin e përmbaruesve dhe anës rregullatorë që ka të bëjë me ligjin për bankat dhe jo bankat, që lidhet me penalitetet. Në rastin e skemave kemi parë që vlera e detyrimit të mbetur nga një kredi e keqe e një konsumatori është rritur jo vetëm 30 për qind, por është rritur në dy tre fish, dhe sekuestrimi i pronave është bërë prona disa herë më se sa vlera e detyrimit të mbetur, edhe kjo kërkon ndryshime ligjore dhe në Kodin Civil. Në një rast që kemi parë në kallëzime, ka qenë një qytetar që ka patur një vlerë të pashlyer dhe i janë sekuestruar tre apartamente! Duhet të ndryshojë edhe ligji për mbrojtjen e konsumatorëve, dhe të përshtatet me ecurinë që ka marrë sot tregu. Kemi një ligj të vjetër, dhe teknologjia dhe inovacioni kanë ecur”.
Sa i takon rolit të tre bankave që janë nën hetim, Xama thotë se bllokimi i llogarive të qytetarëve s’do kishte ndodhur nëse nuk do kishte patur një bashkëpunim institucional me bankat, apo punonjës të bankave të nivelit të dytë. Xama tha po ashtu se një bankë nuk mund të bllokojë gjithë depozitën e një klienti, apo të bllokojë minimumin jetik.
“Bllokimi i llogarive të dhjetëra mijëra qytetarëve nuk do të kishte ndodhur nëse nuk do kishte patur një bashkëpunim institucional me bankat, apo punonjës të bankave të nivelit të dytë. Abuzimet kanë ndodhur në dy skema të ndryshme. Fillimisht disa banka kanë marrë dhe kanë shitur kreditë, dhe para se t’i shesin kreditë vet këto banka kanë rritur vlerën e detyrimeve. Pjesa e dytë ka të bëjë me momentin kur institucionet financiare s’kishin marrë ende licencën për të dhënë kredi. Një pjesë e bankave, kallëzimi që ka bërë në 2020 Ministria e Drejtësisë, përmendet banka BKT, ku punonjës të saj shkonin dhe merrnin çekun për t’i dhënë kredi dhe çeku thyhej nga kompania MCA. Faza e tretë ka të bëjë me bllokimin e llogarive të qytetarëve, ku ligji për shërbimin përmbarimor privat e thotë në mënyrë ekplicite që në momentin që bëhet kërkesa nga ana e përmbaruesit, llogaria e individit, kërkesa mbahet për tre muaj, nëse ka një kërkesë të re nga përmbaruesi, pas tre muajsh shuhet. Ne e kemi ende problem konkret që llogaritë e qytetarëve vazhdojnë të qëndrojnë të bllokuara, në disa banka, çka krijon dyshimin se punonjësit apo drejtuesit e bankave kanë pasur një marrëdhënie jashtëligjore me drejtuesit e mikrokredive. Nuk mund ta bllokosh të gjithë depozitën bankare, nuk duhet të bllokosh minimumin jetik, e thotë ligji. Bankat kanë bërë një krim njerëzor”.



