Ekspertja e ekonomisë Teuta Nunaj, duke folur në “Mcn Economy” tha që nuk kemi të bëjmë me rritje pensioni, por me një kompensim të ardhurash, referuar VKM-së së fundit. Sipas ekspertes nuk mund të konsiderohet rritje e pensioneve, për sa kohë nuk ka ndryshuar baza e pensionit, apo formula.
“Sot pasi kemi këtë VKM do themi që kemi të bëjmë me një kompensim të ardhurash. Një e ardhur shtesë mujore. S’kemi të bëjmë me rritje pensioni, pasi s’kemi rritje të bazës, asnjë ndryshim formule dhe asnjë ndryshim të pensionit social. S’kemi shpërndarje bonusi, sepse jo të gjithë qytetarët janë përfitues dhe në masën e plotë. Kompensimi s’është për të gjithë.
Baza ligjore përcakton që indeksimi lidhet me ruajtjen e fuqisë blerëse. Kompensimi e ka të përcaktuar që qeveria ka të drejtë të ndërhyrje me një vendim, në formën e kompensimit, kur ka nevojë për mbështetjen e qytetarëve kur ka nevojë. Kompensimi s’është detyrim ligjor, por ligji ta jep të drejtë. Indeksimi është detyrim ligjor që qeveria e ka të detyruar. Kemi të bëjmë me një kompensim, një vlerë shtesë. Sa u përgjigjet nevojave të qytetarëve? Kjo ka një analizë tjetër më të gjerë”.
Nunaj tha se nga shtesa 800 lekë nuk do të përfitojnë pensionistët që pensioni u shkon mbi 22 mijë lekë të reja.



