A do jetë koronavirusi fundi i kapitalizmit globalist? Kjo pyetje e gazetarit të Amerikës së Jugut, Jordi Olevole, ish-presidenti i Uruguajt, Jose Pepe Mujica e shfrytëzoi rastin për t’a trajtuar më gjërë se sa thjesht një përgjigje për gazetarin, veçanërisht lidhur me gjendjen në të cilën ndodhet sot shoqëria njerëzore në kohën e pandemisë Covid-19.
Mujica deklaroi se nuk do të jetë virusi ai që do sjellë fundin e kapitalizmit, madje një gjë e tillë duhet të vijë nga vullneti i organizuar i njerëzve, pasi janë ata që e krijuan atë.
Pra, është njeriu ai që duhet ta shkatërrojë atë. Zot është tregu dhe kjo është feja më fanatike në kohën tonë, e cila sundon sot gjithçka. Prandaj, tha ai, nuk mendoj se koronavirusi do t’a ndalojë atë.
“Nuk e di nëse kjo është një situatë që mund të rikthehet, por ne n’a duhet të luftojmë që ajo të bëhet. Ky virus na frikëson dhe ne marrim masa mbrojtëse pothuajse heroike. Ndërsa, për sa i përket tregut dhe globalizmit, kufijtë dhe parametrat e caktuar duhet të respektohen dhe të mos tejkalohen”, shtoi ai.
Mujica tha se qeveritë e vendeve e nënvlerësuan këtë çështje, ato besuan se ishte vetëm një problem kinez, por tani ky është një problem për të gjitha vendet.
“Falë kësaj frike në të gjithë botën, ndoshta mund të shfaqet pak më shumë zemërgjerësi dhe më pak egoizëm. Por, pyes veten, pse të moshuarit vazhdojnë të grumbullojnë sasi parash të pakuptimta. Fjala është për miliarderë, njerëz që përqëndrojnë pasuri të mëdha”, tha ai.
Mujica është shumë idhnak ndaj kapitalizmit të sotëm dhe veçanërisht ndaj miliarderëve: Unë nuk e kuptoj se çfarë dreqin duan ata akoma, një grusht pleqsh që kanë dëshirë për të grumbulluar sa më shumë para. Pse nuk ndalen së ngatërruari me jetën e tyre. Pasi tani në fund të jetës së tyre, veçanërisht në këtë periudhën e koronavirusit, ata po vdesin të barabartë si çdo person tjetër që s’ka pasurinë e tyre.
Fjala e tij është një apel për gjithë racën njerëzore: Ne duhet si fillim të luftojmë egoizmin që mbartim brenda vetvetes në mënyrë që ta mposhtim koronavirusin dhe pastaj duhet të bashkohemi me njëri-tjetrin.
Për ish-presidentin e Uruguajit, kur bie fjala për tek liderët botëror kap me duar kokën, pasi është shumë i zhgënjyer prej tyre. Ata s’kanë bërë asgjë ose shumë pak për t’i dhënë fund shkatërrimit të ekosistemit.
“Le të mos mashtrohemi. Nuk është një problem vetëm ekologjik, por edhe politik. Qenia njerëzore nuk ka pasur kurrë kaq shumë burime, aftësi dhe kapital për t’i ndaluar këto dukuri të shkatërrimit të planetit, pasi ne po shkojmë drejt një “holokausti ekologjik”, dhe po përgatisim me duart tona një tigan gjigant për të pjekur vetveten dhe botën që na rrethon”, shpjegoi Mujica.
Mesazhet e tij, siç ka ndodhur shpesh në të kaluarën, kanë të bëjnë me gjetjen e lumturisë së brendshme: Vetmia më e keqe është ajo që ndjejmë brenda vetvetes, prandaj është koha për të medituar.
Ai bën thirrje se njeriu duhet t’i drejtohet vetes së tij dhe të përpiqet të imagjinojë një dritare në qiell, pasi secili prej nesh që ndjehet i trishtuar dhe i dekurajuar nga këto ngjarje, duhet të vazhdojë të ecë përpara.
Ai mendon se për sa kohë që njeriu ka një arsye për të jetuar dhe për të luftuar, ai nuk do të ketë kohë për trishtim.



