
Partia Demokratike u ka kërkuar institucioneve ndërkombëtare të ndërhyjnë për t’u ardhur në ndihmë mediave. Ish-deputetja e PD-së Albana Vokshi ka dalë sot para mediave ku ka deklaruar se gjendja e lirisë së medias në Shqipëri javët e fundit është përkeqësuar dukshëm dhe ka numëruar rastet e fundit të gazetarëve të dhunuar.
Ajo tha se Rama kërkon ta kontrollojë dhe manipulojë median, të blejë heshtjen e saj, duke përcjellë një model dhune, arsyeja e së cilës është pengimi i informimit të publikut.
Ndër të tjera në deklaratën e saj ajo numëroi rastet e dhunës mbi median:
Eliza Gjediku, gazetare e Tema TV, pati probleme serioze shëndetësore dhe u dërgua me urgjencë në spital për shkak të gazit helmues, të përdorur në masë nga policia në protestën e opozitës, të shtunën.
Fotografi Arben Dajçi, u godit me sende të forta në kokë nga policia, ndërkohë që po fotografonte momente nga protesta e opozitës së datës 13 prill.
Një grup gazetarësh dhe fotoreporterësh u sulmuan me gaz helmues dhe ujë me presion, ndërsa ishin në detyrë, duke ua pamundësuar raportimin për protestën e opozitës para parlamentit.
Nikollë Lesi, i gazetës “Koha Jonë” u pengua dhe u dhunua nga policët, ndërsa po shkonte në protestën e opozitës së datës 13 prill.
Erion Skëndaj, gazetari i përkushtuar i Neës24, u godit dhe u largua me forcë nga policia, ndërkohë që po raportonte live protësten e opozitës më 28 mars.
Alice Taylor, gazetare britanike, iu mohua leja e qëndrimit në Shqipëri, megjithëse shtatzanë, për shkak të raportimit ndërkombëtar të protestave të opozitës.
Forcat policore kërcënuan me arrestim gazetaren e News24 Dorjana Bezat dhe e penguan atë të raportonte live shkatërrimin antiligjor dhe sulmin me gaz brenda shtëpive të 38 familjeve te Bregu i Lumit.
Gazetari i “Fiks Fare” u kërcënua me “varje në litar” nga Kryebashkiaku socialist i Pukës, për investigimin e pushimit nga puna për motive politike të një nëne me 4 fëmijë.
Gazetari Renaldo Salianji u shty me forcë nga truproja e Prokurores së Përkohshme Arta Marku, në kohën kur ai ishte në detyrë në pasqyrimin e një aktiviteti në Kryesinë e Kuvendit.
Avokati i Popullit, ka kritikuar ashpër dhunën e Policisë së Shtetit ndaj gazetarëve me përdorimin në masë të gazit lotsjellës. “Trajtimi i medias dhe gazetarëve si një kërcënim i sigurisë publike, konsiderohet nga Avokati i Popullit si një nga sinjalet më shqetësuese për një situatë, ku liria e shtypit është vënë në dyshim”, thuhet në raportin paraprak të Institucionit.
Partia Demokratike u kërkon këtyre institucioneve, Komisionit Europian, Parlamentit Europian, OSBE-së, Keshillit të Europës, Komisionit te Helsinkit të Kongresit amerikan, Human Right Ëatch, Amnisty International, Reportereve pa Kufij që të ushtrojnë të gjithë presionin e tyre për t’i kërkuar Edi Ramës dhe Qeverisë të ndalin dhunën ndaj gazetarëve dhe mediave!
Pa gazetarë të lirë nuk ka demokraci!



