Duke komentuar në “Fact Check” ligjin e ri për Policinë e Shtetit ku drejtuesit do të zgjidhen me konkurs, eksperti kriminalist Artan Rexhepi e konsideroi si një hap të mirë, sepse u hap rrugë qarkullimit të elitave, por ngriti pikëpyetjen se sa reale do jenë konkurset.
Ministri i tanishëm po zgjedh një mënyrë për të kryer një reformë që ndoshta e ka të vështirë, dhe mendon ta kryejë me ligj, dhe në këtë mënyrë shmang të gjitha ndërhyrjet klanore, qoftë me influenca politike, qoftë me influenca të tjera. Kjo është gjë shumë e mirë konkursi. Por pikësëpari sa reale janë këto konkurse, se kush i teston. Ligji i Policisë së Shtetit në aspektin e gradimeve ka pasur nevojë për t’u parë. Një ekspert fillon punë ekspert dhe del në pension ekspert, është i limituar në gradë e karrierë, duhet të presë të dalë në pension shefi i tij, ose të vdesë largqoftë. Unë jam i mendimit që vlerat ta kenë rrugën e hapur me ligj. Një i aftë atë që mund ta bëjë për një vit, një tjetër mund të mos ta bëjë gjithë jetën. Mandati duhet të ishte lënë 5 vite, kjo ‘nëse’ rizgjihet duhej rihequr fare. Janë bërë drejtorët si monument kulture që ruhen nga shteti, drejtor qarku këtu, drejtor qarku aty. Duhet bërë një filtër te shefat e komisariateve. Janë ata që transmetojnë imazhin e policisë te publiku”.
Duke folur mbi hetimet e “21 janarit” Rexhepi thekson që SPAK duhet të hetojë edhe organizatorët.
Jam i mendimit që shteti merret me votë dhe jo me protesta të dhunshme, me këtë nuk legjitimoj vrasjet. Hetimi i SPAK-ut duhet të jetë gjithëpërfshirës, duhet të hetohen edhe organizatorët. Kjo ngjarje s’e shmang ngarkesën politike”.



