Një padi e re është ngritur ndaj Donald Trump-it dhe tre fëmijëve të tij, të cilët akuzohen për mashtrim pas hetimit në biznesin e familjes në Nju-Jork. Prokuroria e Nju-Jorkut pretendon se Organizata Trump ka kryer akte të shumta mashtrimi mes viteve 2011 dhe 2021. Ish-presidenti akuzohet se ka fryrë vlerësimet e aseteve të kompanisë së tij.
Prokurorja e Përgjithshme e Nju Jorkut, Letitia James po kërkon nga një gjykatë që të ndalojë Trump dhe fëmijët e tij të shërbejnë si drejtues në çdo biznes në Nju Jork.
Në padinë prej më shumë se 200 faqesh, Prokurorja e Përgjithshme pretendon se mashtrimi preku të gjitha aspektet e biznesit Trump, duke përfshirë pronat e tij dhe fushat e golfit. Dyshohet se ish-Presidenti amerikan mashtroi huadhënësit, siguruesit dhe autoritetet tatimore duke përdorur vlerësime të fryra.



