Avokati Redon Meksi është i bindjes se nuk ka popull pro luftës, por se janë qeveritë ato që janë pro saj.
Në studion e MCN Live, avokati bëri me dije se nuk doli në protestën e mbajtur në Tiranë kundër luftës në Ukrainë, pasi tha se ka shumë gjëra për të cilat qytetarët duhet të dalin në protestë, për gjëra më konkrete.
Për më tepër tha ai, organizatorët e protestës janë të njëjtët që kanë thirrur edhe protesta të tjera, me në sfond dhe kauza politike.
“Problemet fillojnë që në 2008, kur kërkohet që Gjeorgjia dhe Ukraina të futen në NATO. Putin tha se atëherë se ‘Jam i kënaqur që nuk u pranuan’. U tha gjithashtu se nëse merrni tokat në kufi me mua, nuk do iu lejoj. Marrëveshja e Minskut po shkelet si nga lindorët dhe nga perëndimorët. Fuqitë e mëdha po luajnë luftash me njëra tjetrën dhe pasoja është dëmtimi i popullit ukrainas”, u shpreh Meksi.
Ai shtoi gjithashtu se bllokimi i aseteve ruse nuk prek vetëm Rusinë, por edhe shumë shtete të tjera.
“Bllokimi i parasë në afatshkurtër nuk kanë ndonjë vlerë, rusëve iu është bërë kurrizi shollë viteve të fundit, por në afatgjatë ka shumë efekte. Në afatgjatë Putin nuk e mban dot luftën”, tha Meksi.
Ai deklaroi se India, Pakistani dhe Kina, edhe pse janë shprehur kundër dhunës, po mbajnë anën e Rusisë, ndonëse jo haptazi.
Në vijim Meksi tha se Rusia është vendi më i izoluar momentalisht dhe se mund ti ketë dalë gabim pritshmëria se do e merrte brenda 48 orëve Kievin.



